Todorov: Emigrantët do të vaksinohen
Me qëllim parandalimin dhe përhapjen e sëmundjeve ngjitëse, emigrantët në Qendrën për Pranimin në Gazibabë të Shkupit do të vaksinohen, ka informuar ministri i Shëndetësisë, Nikolla Todorov...

Ata që për çfarë do lloj arsye do të qëndrojnë në Maqedoni më shumë se 72 orë, ashtu siç parasheh ligji i ri, nëse me vete nuk kanë dëshmi se janë të vaksinuar, sërish do të vaksinohen dhe do të kryhet dezinfektim i mjeteve me të cilat kanë udhëtuar qoftë me autobusë apo tren, njoftoi Todorov. Qendrën e Emigrantëve sot e kanë vizituar mjekë, infektologë dhe dermatologë.
“Ministria e Shëndetësisë së bashku me Kryqin e Kuq në vazhdimësi po ndjekin situatën. Ekipet e Kryqit të Kuq gjenden përmes korridorit ku lëvizin emigrantët dhe merren të gjitha masat e nevojshme në aspektin shëndetësor, para së gjithash parandalimin e përhapjes së sëmundjeve ngjitëse. Kjo është një nga rreziqet ku duhet të jemi të fokusuar dhe të jemi me sy hapur dhe mos të na ndodhë që të paraqitet ndonjë sëmundje infektive apo ndonjë sëmundje që një kohë të gjatë nuk është vërejtur në Maqedoni. Për këtë arsye do të kryhet edhe vaksinimi i të gjithë atyre që janë vendosur në kamp me propozim të Komisionit për Sëmundje Ngjitëse”- deklaroi ministri i Shëndetësisë, Nikolla Todorov.
Todorov tha se deri më tani janë marrë të gjitha masat e nevojshme për mbrojtjen shëndetësore të emigrantëve dhe deri në këto momente shërbim mjekësor kanë kërkuar gjithsej 21 persona emigrantë edhe atë në Spitalin e Kumanovës. Shërbime mjekësore janë kërkuar në pediatri, në urgjencë, në kirurgji dhe në Repartin për Sëmundje Infektive.(Florije Kamberi, TVM2)
