Botë
Erdogan kërkon uljen e tensioneve SHBA-Iran: Turqia do të vijojë përpjekjet për paqe
06.09.2026 18:49
Erdogan ka deklaruar se Turqia po intensifikon përpjekjet diplomatike për të ulur tensionet mes Shteteve të Bashkuara dhe Iranit...

Presidenti turk Recep Tayyip Erdogan ka deklaruar se Turqia po intensifikon përpjekjet diplomatike për të ulur tensionet mes Shteteve të Bashkuara dhe Iranit, ndërsa situata në Lindjen e Mesme vijon të mbetet e tensionuar.
Erdogan e bëri deklaratën gjatë një bisede telefonike me presidentin e Emirateve të Bashkuara Arabe, Sheikh Mohammed bin Zayed Al Nahyan. Sipas Drejtorisë së Komunikimeve të Presidencës turke, gjatë bisedës u diskutuan marrëdhëniet dypalëshe, si dhe zhvillimet e fundit rajonale dhe ndërkombëtare.
Presidenti turk tha se Ankaraja po punon për t’i dhënë fund tensioneve mes Iranit dhe SHBA-së, por edhe konflikteve të tjera në rajon. Ai theksoi se Turqia do të vijojë iniciativat diplomatike të orientuara drejt paqes.
“Ne do të vazhdojmë përpjekjet tona për paqe”, mësohet të ketë theksuar Erdogan, duke nënvizuar nevojën për dialog dhe bashkëpunim në një periudhë të ndjeshme për rajonin.
Erdogan deklaroi gjithashtu se Turqia nuk miraton sulmet ndaj vendeve që i konsideron mike dhe vëllazërore, ndërsa vlerësoi rëndësinë e bashkëpunimit me Emiratet e Bashkuara Arabe për çështjet rajonale.
Përpjekjet diplomatike të Ankarasë kanë vijuar edhe në nivelin e ministrave të Jashtëm. Ministri turk i Jashtëm, Hakan Fidan, zhvilloi një bisedë telefonike me homologun iranian Abbas Araghchi, ku u diskutuan zhvillimet e fundit dhe negociatat mes Iranit dhe Shteteve të Bashkuara.
Turqia synon të ruajë rolin e një kanali diplomatik mes palëve, duke shfrytëzuar marrëdhëniet që ka me Uashingtonin, Teheranin dhe vendet e Gjirit.
Ndërhyrja e Ankarasë vjen në një moment kur tensionet SHBA-Iran kanë shtuar shqetësimet për një përshkallëzim të mëtejshëm dhe për pasojat që një konflikt më i gjerë mund të ketë në sigurinë dhe stabilitetin e Lindjes së Mesme.
