Botë
AfD fiton me rreth 44% në Gjermani, por nuk mund të qeverisë e vetme
07.09.2026 11:38
Partia Alternativa për Gjermaninë (AfD) ka fituar zgjedhjet në landin gjerman Saksoni-Anhalt me rreth 44% të votave...

Partia Alternativa për Gjermaninë (AfD) ka fituar zgjedhjet në landin gjerman Saksoni-Anhalt me rreth 44% të votave, duke dalë forcë e parë në parlamentin rajonal. Megjithatë, rezultati nuk i jep partisë shumicën absolute të nevojshme për të krijuar e vetme qeverinë.
Sipas projeksioneve të fundit, AfD ka marrë rreth 44-44.5% të votave, ndërsa CDU është renditur e dyta me rreth 18%. Pas tyre vijnë Die Linke, SPD dhe të Gjelbrit, ndërsa BSW ka kaluar kufirin prej 5% për të hyrë në parlament.
AfD do të kishte rreth 39 nga 83 mandatet në parlamentin e landit, ndërsa për shumicën absolute nevojiten 42. Kjo do të thotë se, pavarësisht fitores së qartë, partisë i duhet mbështetja e një force tjetër për të siguruar një qeveri funksionale.
Problemi kryesor është se partitë e tjera kanë përjashtuar deri tani një koalicion me AfD-në. Edhe CDU, e cila ka pësuar një rënie të fortë në këto zgjedhje, nuk ka pranuar bashkëpunim me partinë e së djathtës ekstreme.
Kjo e bën formimin e qeverisë një proces të vështirë. Në javët e ardhshme priten negociata mes partive për të gjetur një shumicë që mund të zgjedhë kryeministrin e ri të landit.
Parlamenti i ri duhet të mblidhet për herë të parë jo më vonë se 30 ditë pas zgjedhjeve, pra deri më 6 tetor. Nuk ka një afat të përcaktuar me ligj për zgjedhjen e kryeministrit, ndaj negociatat mund të zgjasin.
Një nga skenarët është krijimi i një qeverie nga partitë që kundërshtojnë AfD-në. Por edhe ky variant përballet me vështirësi, pasi kombinimet e mundshme nuk sigurojnë lehtësisht shumicën prej 42 mandatesh.
Nëse nuk arrihet një marrëveshje, procesi politik mund të zgjatet dhe zgjedhja e kryeministrit të bëhet edhe më e ndërlikuar.
Fitorja e AfD-së në Saksoni-Anhalt është ndër rezultatet më të forta të saj në një zgjedhje rajonale gjermane. Në vitin 2021, partia kishte marrë 20.8% të votave në këtë land, ndërsa këtë herë e ka më shumë se dyfishuar rezultatin.
