Maqedoni

Vazhdon lufta me zjarret, temperaturat e larta vështirësojnë situatën

07.09.2026 14:00

Lufta me flakët në vend nuk ka të ndalur! Ekipet e zjarrfikësve gjatë gjithë natës kanë luftuar me zjarret....

Lufta me flakët në vend nuk ka të ndalur! Ekipet e zjarrfikësve gjatë gjithë natës kanë luftuar me zjarret, në një betejë që po bëhet gjithnjë e më e vështirë. Nata e kaluar cilësohet si një nga netët më të vështira të kësaj sezone, ndërsa me agimin, bilanci tregon përmasa alarmante. Në vetëm 24 orët e fundit janë regjistruar 42 vatra zjarri në ambiente të hapura. Tridhjetë e dy janë shuar, pesë janë vënë nën kontroll, ndërsa pesë vatra të tjera ende mbeten aktive. Në terren vazhdon lufta për të frenuar flakët, ndërsa temperaturat e larta dhe era po e komplikojnë edhe më tej situatën.
 
“Në këtë moment, zjarri më i vështirë për t’u shuar është ai në lokalitetin Staramno në Malin e Zi të Shkupit. Këtë mëngjes, një helikopter policie filloi të operonte në të me mbështetje të zjarrfikësve të Shkupit dhe ekipeve të zjarrfikësve të Drejtorisë për Mbrojtje dhe Shpëtim. Në njërin prej tyre, u aktivizuan edhe disa ekipe nga Pyjet Kombëtare. Tridhjetë anëtarë të ushtrisë maqedonase u angazhuan në mbrojtjen e objektit në majë të kodrës. Zjarri tjetër aktiv, i cili nuk tregoi shenja serioze djegieje gjatë natës, është zjarri në fushë në fshatin Belicë, në komunën e Makedonski Brodit, i cili u riaktivizua gjatë ditës me rritjen e temperaturave. Zjarrfikësit nga Makedonski Brodi punojnë në vendngjarje atje. Zjarri, i cili ka qenë aktiv prej disa ditësh në zonën e fshatit Burinec–Lokov–Selcë, u zvogëlua ndjeshëm gjatë natës, por këtë mëngjes tregon përsëri shenja djegieje, prandaj janë aktivizuar zjarrfikësit nga komuna e Strugës dhe një avion do të dërgohet këtu nëse është e nevojshme.”, - deklaroi drejtori i DMSh-së, Stojançe Angelov. 
 
Përveç këtyre, sipas bilancit të mëngjesit, aktiv mbetet edhe zjarri në zonën e Graçanit dhe Nikishtanit në komunën e Gjorçe Petrovit, ku zjarri është aktiv edhe në pjesën kufitare me Kosovën. Aktiv është edhe zjarri në lokalitetin Ramnë, pranë fshatit Brezë në komunën e Çuçer Sandevës, si dhe zjarri në fshatin Millatinë në komunën e Bërvenicës. Ndërkohë, pesë zjarre janë vënë nën kontroll. Bëhet fjalë për zjarret në Knezhninë, Dobrenoeç dhe Tajmishte në Kërçovë, në Kopanicë në Saraj, në deponinë e qytetit të Dellçevës, si dhe në zonën ndërmjet Ruxhincës dhe Orahut në Star Nagoriçan. Por, edhe këto zona mbeten nën monitorim të vazhdueshëm, pasi rreziku i riaktivizimit të flakëve mbetet i lartë. Ekipet mbeten në terren, ndërsa lufta me flakët vazhdon dhe orët në vijim do të jenë vendimtare për shuarjen e vatrave aktive.
 
FARIJE DAUTI BAKIU