Botë

ShBA, “krim nga urrejtja”, nëntë të vdekur në kishën afro-amerikane

18.06.2015 15:42

Nëntë të vdekur, tetë brenda kishës afro-amerikane të shënjestruar nga agresori dhe 1 në spital...

Ky është bilanci i masakrës më të fundit që tronditi Shtetet e Bashkuara, një krim nga urrejtja, siç cilësohet prej autoriteteve, i konsumuar në Çarleston të Karolinës së Jugut.
 
Policia është vënë në kërkim të një të riu të bardhë, tek të 20-at, i përshkruar si njeriu që hyri në kishë rreth orës 9 të mbrëmjes, me orën lokale, dhe nisi të qëllonte si i çmendur këdo që gjente përpara.
 
Nëpërmjet rrjetit social Twitter, një zyrtar i policisë beri të ditur se i dyshuari është një djalë biond, i veshur me bluzë gri dhe xhinse.
 
“Në orën 9:05 minuta të mbrëmjes morëm një telefonatë, na njoftuan se ka pasur të shtëna armësh brenda në kishë këtu në Çarleston. Kur policët arritën në vendin e ngjarjes, ata gjetën një numër të viktimave brenda saj, kishte edhe të plagosur që u transportuan në spital, njëri prej të plagosurve vdiq në spital. Pra, në këtë pikë ne kemi nëntë viktima në këtë krim të tmerrshëm që është kryer. Ne jemi në kërkim për një mashkull të bardhë, rreth 21 vjeç,  flokëverdhë, ai padyshim është jashtëzakonisht i rrezikshëm”- deklaroi shefi i policisë, Gregori Mullen.
 
Një operacion masiv kërkimi ka nisur menjëherë nga forcat e rendit, të cilat nuk janë kursyer të përdorin për këtë qëllim edhe helikopterët.
 
Megjithatë, deri tani nga agresori nuk ka asnjë gjurmë. Në mesin e viktimave është edhe vetë pastori i kishës, Clementa Pinckney, anëtar demokrat i Senatit të Karolinës së Jugut. 
 
Kryebashkiaku i Çarlestonit, Joe Riley, foli për një tragjedi të pakuptimtë, ndërsa shefi i policisë, Gregory Mullen, u shpreh se është e paimagjinueshme që në shoqërinë e ditëve tona dikush të hyjë në kishë, kur besimtarët janë duke u lutur, e t’u marrë jetën. 
 
Incidenti detyroi aspirantin për kandidatin republikan në zgjedhjet presidenciale, Jeb Bush, të anulojë mitingun elektoral që kishte planifikuar të mbante në Çarleston këtë të enjte.
 
REJHANE BUSHI-METAJ