Kulturë
Festivali Ballkanik Teatror “KU-Fest”, Shkëlqim Islami, aktori që shkëlqeu
07.09.2026 14:22
Pas 6 netësh të mbushura me emocione teatrore artistike, në Kumanovë me ndarjen e çmimeve për më të mirët u lëshua perdja e edicionit të tretë të Festivalit Ballkanik Teatror “KU-Fest”...

Pas 6 netësh të mbushura me emocione teatrore artistike, në Kumanovë me ndarjen e çmimeve për më të mirët u lëshua perdja e edicionit të tretë të Festivalit Ballkanik Teatror “KU-Fest”, i cili mblodhi trupat teatrore nga Kosova, Shqipëria, Serbia, Bullgaria dhe Maqedonia.
Juria në krye me Leunora Kaliqi çmimin "Sefedin Nuredini" për aktorin më të mirë ia ndau aktorit Shkëlqim Islamit. Çmimi për shfaqjen më të mirë iu nda trupës artistike nga Gjilani për shfaqjen "Nëna", ndërkaq çmimi për regji më të mirë iu nda Ersan Zymberit. Në kategorinë e aktrimit çmimet e para për aktrim në rolin kryesor iu ndanë Mirosllav Petkoviqit dhe Aurita Agushit.
“Ishte mjaft e vështirë të them të drejtën, pasi që në skenë kishte shfaqje nga treva të ndryshme. Kur flasim edhe për vende të ndryshme kemi parasysh edhe peripecitë nëpër të cilat kalojnë ata dhe mënyrën se si e kanë sjellë në skenë gjithë atë shfaqje teatrale, ato emocione të cilat na i dërguan, personazhet ishin të jashtëzakonshëm dhe e kishim shumë të vështirë të ndajmë mes tyre se cili do të ishte më i miri, por padyshim se ndarja e çmimeve ka qenë objektive edhe pse na mori shumë kohë deri sa diskutonim në nuanca, të cilat nuanca mes aktorëve të cilat luanin, por edhe ndarjen e asaj se cila ishte pesha e vet shfaqjes më të mirë në skenë.”, - theksoi kryetarja e jurisë profesionale të “KU-Fest”, Leunora Kaliqi.
“Ta marr çmimin e profesorit të nderuar Sefedin Nuredini, do të mbetet në sirtarin tim si diçka e shenjtë për profesionin tonë, për çka që pak më ka rastis me profesorin të njoftohem, por edhe për atë pak periudhë kam arritur të realizoj një film me të e që e ka luajtur rolin e babit tim dhe më ka vlerësuar jashtëzakonisht shumë e që një çmim me emër të tij ka një domethënie të madhe për mua.”, - tha mes tjerash aktori, Shkëlqim Islami.
Edhe artdashësit dhe spektatorët që ishin pjesë e Festivalit Ballkanik Teatror “KU-Fest” u shprehën jashtëzakonisht të kënaqur me programin dhe me atmosferën e krijuar gjatë këtyre gjashtë netëve të mrekullueshme.
“Ne si qytetarë të këtij vendi po e ndjekim secilën shfaqje dhe jemi të kënaqur me gjitha performancat e të gjitha teatrove që kanë marr pjesë në këtë festival. E jona është vetëm t’i duartrokasim dhe t’i motivojmë si publik me numër sa më të madh. Kjo është një shkollë më vete dhe mendoj se çdo qytetar duhet t’i ndjekë këto manifestime.”, - u shpreh Fatlum Aliu.
“Jemi shumë të lumtur se prapë se prapë po bëhen disa organizime. Një festival i tillë me përmasa të këtilla me 6 net art, dramë me teatro, të ftuar nga vende të ndryshme të rajonit me aktorë të shkëlqyer, padyshim se meriton një vlerësim shumë pozitiv.”, - tha mes tjerash, Besim Miftari.
Në fund të theksojmë, mirënjohje iu ndanë edhe mediave për mbështetjen mediatike, ndër të cilat edhe TVM2, e që mirënjohjen për këtë kontribut e pranoi zëvendësdrejtori ynë, Xhulian Shabani, kurse festivali u mbajt me mbështetje financiare të Ministrisë së Kulturës dhe Komunës së Kumanovës.
FATLUM AQIFI
