Maqedoni

Huaja e re përplas partitë, VMRO: Shlyejmë borxhet e qeverisjes paraprake

07.09.2026 15:01

Huaja e re prej 1.3 miliardë euro vazhdon të jetë temë akuze mes dy partive maqedonase...

Huaja e re prej 1.3 miliardë euro vazhdon të jetë temë akuze mes dy partive maqedonase, LSDM-së dhe VMRO-së, ndërkaq kjo e fundit me arsyetim se mjetet duhet për të shlyer borxhet e trashëguara nga qeveria paraprake, duke theksuar njëherësh se nga viti 2024, kur në krye të Qeverisë qëndron VMRO-ja, borxhi publik është ulur nga 60% të Prodhimit Bruto të Brendshëm në 58.8%, ndërkaq paralelisht ekonomia shënon rritje graduale që ka arritur në 4.3%. Kërkojnë nga LSDM-ja që të japë përgjigje për borxh prej 4.5 miliardë euro në vetëm 7 vjet.
 
“Maqedonia duhet të shlyejë afër 8 miliardë euro borxhe të marra gjatë periudhës së qeverisjes së LSDM-së dhe BDI-së. Borxhet që sot dhe në vitet e ardhshme duhet t’i shlyejë Qeveria e udhëhequr nga VMRO-DPMNE-ja nuk janë krijuar dje. Vetëm këtë vit shlyhen rreth 1.5 miliardë euro. Në vitin 2027 duhet të shlyhen edhe 1.5 miliardë euro, në vitin 2028 rreth 1.9 miliardë euro, në vitin 2029 rreth 1.3 miliardë euro, ndërsa në vitin 2030 edhe 1.4 miliardë euro. Këto janë afër 8 miliardë euro, borxhe që i la LSDM-ja, ndërsa nuk e dimë se për çfarë i shpenzuan. Nuk mund të qeverisësh shtetin për shtatë vjet, ta zhysësh në borxhe dhe të marrësh përsipër detyrime financiare, e pastaj nga opozita të sillesh sikur borxhin e ka krijuar dikush tjetër.”, - deklaroi Biljana Kuzmanoska nga VMRO-DPMNE.
 
LSDM: Kreditë e Mickoskit, barrë e gjeneratave
 
Ndërkohë LSDM-ja insiston në projeksion se shteti ka aq borxh të madh sa që për pagesën e tyre do të duhet të angazhohen edhe brezat e rinj.
 
“Mickoski do ta zhysë vendin në borxh me 4 miliardë euro për dy vjet. Mickoski mund të vazhdojë me përrallat e tij për ekonominë e tretë dhe të thotë çfarë të dojë. Vetëm se situata nuk është për të qeshur, por për të qarë. Nipërit do t’i shlyejnë kreditë e Mickoskit. Për breza të tërë, 4 miliardë euro në tenderë partiakë kriminalë për 2 vjet. Kjo organizatë e krimit të organizuar nuk ka kufij. Ndërsa kryeministri mburret me rritjen dhe “ekonominë e tretë”, realiteti është krejt ndryshe: Borxh i ri prej 1.3 miliardë eurosh. Gjithsej rreth 4 miliardë euro borxh i ri në vetëm dy vjet. Borxhi publik po shkon drejt 12 miliardë eurove – mbi 65% të PBB-së.”, - thanë nga LSDM. 
 
Për LSDM-në shqetësuese është edhe situata me arkën shtetërore, rritja e normave të interesit, e shportës së konsumit dhe e çmimeve në përgjithësi. 
 
NERMIN MULAKI FEJZULLAHU