Sheholli u paraqit në gjykatë, Prokuroria ngarkohet për spiun të BIA-s serbe

07.09.2026 15:01

I akuzuari për bashkëpunim me BIA-n serbe Fatmir Sheholli...

I akuzuari për bashkëpunim me BIA-n serbe Fatmir Sheholli, u paraqit në gjykatë. Prokurori Bekim Kodraliu, duke prezantuar aktakuzën sqaroi se Sheholli akuzohet për veprat penale të spiunazhit dhe shantazhit.

Kodraliu tha se Sheholli dyshohet se ka ndihmuar veprimtarinë e Shërbimit Informativ të Serbisë BIA, duke mbledhur dhe përcjellë informacione lidhur me aktivitetet politike, gjendjen e sigurisë dhe funksionimin e institucioneve të Republikës së Kosovës.

“I pandehuri Fatmir Sheholli, nga një datë e papërcaktuar e deri më datë 09.10.2025, në territorin e Republikës së Kosovës, në vazhdimësi dhe me dashje direkte, në cilësinë e personit të rekrutuar nga Shërbimi Informativ i Serbisë – (i njohur si “BIA”), e ka ndihmuar veprimtarinë e këtij shërbimi, duke vepruar sipas urdhrave dhe detyrave të caktuara nga zyrtari i lartë i saj, Bojan Dimiq, drejtor i Drejtorisë Kundër Terrorizmit dhe Krimit të Organizuar Ndërkombëtar, ashtu që i pandehuri Sheholli ka mbledhur, siguruar dhe, përmes komunikimeve dhe mesazheve telefonike, ka përcjellë tek ky zyrtar të dhëna, informacione dhe dokumente lidhur me aktivitetet politike, gjendjen e sigurisë dhe funksionimin e institucioneve të Republikës së Kosovës.”, - deklaroi prokurori, Bekim Kodraliu.

Por, i akuzuari Sheholli është deklaruar i pafajshëm lidhur me akuzat e Prokurorisë.

“E ndjej veten të pafajshëm.”, - u shpreh i akuzuar për bashkëpunëtor të BIA-s serbe, Fatmir Sheholli.

Në aktakuzë përmendet edhe një dokument “Top Secret 2” një fotografi e të cilit, sipas Prokurorisë, është gjetur në telefonin e Shehollit, pretendohet se fonde të mbledhura nga “ambasadat islamike” në Beograd do të investoheshin në ndërtimin e xhamive në Kosovë.

Sipas përmbajtjes së dokumentit, qëllimi do të ishte shtrirja e ndikimit të islamit, përçarja e shqiptarëve, nxitja e emigrimit dhe ndryshimi i perceptimit të Perëndimit për Kosovën, për të krijuar rrethana që do t’i shërbenin synimit të Serbisë për rikthimin e Kosovës nën juridiksionin e saj. (Gyltene Sinani, TVM2)