Shënimi i 35-vjetorit të RMV-së nga referendumi te ndërtimi i shtetit funksional

07.09.2026 15:53

Me rastin e shënimit të 8 Shtatorit...

Me rastin e shënimit të 8 Shtatorit, Ditës së Pavarësisë dhe 35-vjetorit të pavarësisë së vendit, në Vilën Presidenciale në Vodno, presidentja Gordana Siljanovska Davkova organizoi një panel diskutimi, ku u diskutua për rrugën drejt referendumit për pavarësi dhe zhvillimet që kanë shoqëruar vendin gjatë tri dekadave e gjysmë.

Ish-politikanë, zyrtarë shtetërorë, ish-deputetë, gazetarë dhe figura të ndryshme publike të asaj kohe biseduan për proceset politike, institucionale dhe shoqërore që çuan në krijimin e shtetit të pavarur maqedonas, por edhe për sfidat dhe ngjarjet e rëndësishme që kanë shënuar këtë periudhë.

Gjatë këtyre 35 viteve, vendi ka kaluar nëpër ndryshime dhe riorganizime të shumta, me synimin që të gjithë qytetarët dhe aktorët shoqërorë ta ndiejnë shtetin si shtëpinë e tyre.

“Mendoj se aspak nuk ishte e vështirë, me një popull të tillë, siç është populli maqedonas, të krijonim Maqedoninë e pavarur. Megjithatë, duke pasur parasysh edhe vetëdijen e lartë politike të parlamentarëve të parë, sot mund të them se jam krenar që janë këtu me këta heronj, si dhe me të gjithë të tjerët që dikur kam qenë e që  tashmë kanë ndërruar jetë.”, - deklaroi ish-deputeti dhe ministri në përbërjen e parë, Lambe Arnaudov.

“Mund të them lirisht se me vendosjen e modelit proporcional të zgjedhjes së deputetëve në Parlament,  u vendos një moratorium mbi një pjesë të Kushtetutës së RM-së. Modeli proporcional i zgjedhjes së deputetëve nuk është zgjedhje e drejtpërdrejtë e deputetëve, por është zgjedhje e tërthortë, ku liderët politikë praktikisht i zgjedhin deputetët në RMV dhe ata nuk mund t’i përfaqësojnë qytetarët ashtu siç parashikon Kushtetuta, përkatësisht nenet 1, 2 apo edhe 4 të Kushtetutës.”,  - theksoi ish-deputeti dhe ministri në përbërjen e parë, Tushe Goshev.

“Përfaqësuesit e atëhershëm të shqiptarëve që ishin në PPD ishin ndër të parët që ishin për pavarësinë dhe sovranitetin e Maqedonisë. Si rezultat i kësaj, para referendumit për pavarësi, ne i propozuam Kuvendit të deklarohej për një deklaratë për statusin e  barabartë të shqiptarëve në Maqedoni. Por, për fat të keq strukturat politike nuk patën forcën dhe e refuzuan, dhe si rezultat i kësaj erdhi edhe përgjigjja e shqiptarëve ndaj referendumit për pavarësi.”, - u shpreh ish-deputeti dhe ministri në përbërjen e parë, Naser Zyberi.

“Në atë periudhë, nga kolegët tanë ose nuk ishim kuptuar mirë, ose ishim keqkuptuar. Në programin tonë politik nuk kishim ndonjë kërkesë që, në ditët e sotme, do të interpretohej si diçka shumë e rrezikshme dhe e dëmshme për shoqërinë. Përpiqeshim me të gjitha forcat tona dhe në programin tonë të asaj kohe, gjëja më e madhe që kërkonim ishte hapja e shkollave të mesme në gjuhën shqipe, sepse kishim trashëguar një sistem shumë rigid përpara nesh.”, - deklaroi ish-deputeti dhe ministri në përbërjen e parë, Muhamed Halili.

Një ndër pyetjet kryesore të parashtruara në panel ishte nëse gjenerata e para 35 vitesh arriti të vendosë themelet e një shteti të pavarur, ndërsa ndërtimi i një shteti funksional mbetet ende në proces.

Presidentja Gordana Siljanovska Davkova tha se për ndërtimin e një demokracie funksionale nevojiten shumë kohë dhe vite.

“Sipas mendimit tim, liderët modestë dhe të mençur të viteve  90-të arritën që nga ajo vorbull e luftës, në njëfarë mënyre, me dijen, mençurinë dhe qasjen shtetformuese, të dalin në mënyrë të moderuar. Dhe kjo është shumë e rëndësishme. Përndryshe, po, keni të drejtë, nuk është mirë të citoj shkencën, por kështu thotë një shkencëtar shumë i mençur: mund të hartoni një Kushtetutë për gjashtë ditë, mund të përcaktoni një ekonomi liberale për gjashtë muaj, por ju duhen 60 vjet për të ndërtuar një demokraci funksionale.”, - theksoi presidentja e RMV-së, Gordana Siljanovska Davkova.

Më herët, presidentja Siljanovska Davkova, së bashku me ministren e Arsimit dhe Shkencës, Vesna Janevska, priti nxënës të talentuar dhe mentorët e tyre nga shkollat fillore dhe të mesme, të cilët gjatë vitit shkollor 2025/2026 morën pjesë në olimpiada dhe gara ndërkombëtare shkencore. Disa prej tyre u vlerësuan me medalje, çmime të larta dhe mirënjohje për arritjet e tyre. (Rexhep Qamili, TVM2)