Lufta Rusi – Ukrainë, ShBA: Pa kompromis nuk ka marrëveshje
Lufta në kulm, diplomacia në tryezë...

Lufta në kulm, diplomacia në tryezë. Uashingtoni po përpiqet sërish t’i afrojë Rusinë dhe Ukrainën për një marrëveshje paqeje. Përfaqësuesit amerikanë Steve Witkoff dhe Jared Kushner i përfunduan bisedimet me Zelenskyy-n, pasi më herët ishin takuar me Putinin. Qëllimi, thonë ata, nuk është vetëm një armëpushim, por garanci sigurie dhe ekonomike për Ukrainën dhe një plan për rindërtimin e saj.
Hapi i ardhshëm është ringjallja e negociatave trepalëshe, me mbështetjen e partnerëve evropianë. Megjithatë, Uashingtoni pranon se pa kompromis nga të dyja palët, nuk mund të ketë marrëveshje.
“Puna ime dhe puna e Jaredit është t’i afrojmë palët, t’i ngushtojmë dallimet dhe të krijojmë kanale të mira komunikimi. Kemi bërë përparim të madh në Moskë, kemi dëgjuar ide të reja dhe i kemi sjellë ato në Kiev. Do të nevojiten kompromise nga të dyja palët, por besojmë se kemi kushte për përparim.” – deklaroi i dërguari i posaçëm i SHBA-së për paqe, Steve Witkoff.
“Një gjë që Steve dhe unë vërtet menduam se do të ishte produktive, është rikthimi te formati trepalësh, gjë që mund ta kishim bërë rreth gjashtë muaj më parë. Kemi biseduar me të dyja palët dhe shpresojmë që shumë shpejt të kemi përparim në këtë drejtim. Mendoj se është e rëndësishme të diskutohen çështjet e mëdha, por edhe disa nga çështjet që lidhen me de-përshkallëzimin.”, - theksoi i dërguari i posaçëm i ShBA-së për paqe, Jared Kushner.
Kievi deklaroi se bisedimet me Moskën mund të vazhdojnë, por se çështjet më të diskutueshme mund t’i zgjidhin vetëm liderët.
“Negociatat me Rusinë mund të vazhdojnë, por çështjet më të vështira, përfshirë edhe çështjen territoriale, mund të zgjidhen vetëm në nivelin e liderëve.”, - theksoi presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelenskyy.
Nga Moska, Putini më herët deklaroi se situata është e vështirë, por se Rusia është e gatshme për bisedime. Kremlini vazhdon të insistojë që në negociata të diskutohen edhe ato që i quan “shkaqet rrënjësore të konfliktit”.
Ndërkohë, vazhduan sulmet mes Rusisë dhe Ukrainës, me viktima dhe të plagosur në të dyja palët. (Armend Murseli, TVM2)
