Maqedoni
Maqedonia shënon 35-vjetorin e pavarësisë, vetëdije të qartë për përkatësinë evropiane
08.09.2026 11:31
Në frymën festive dhe optimiste, dua të kujtoj se faqet e së kaluarës dhe të së tashmes sonë shënojnë suksese të shumta në shumë fusha...

“Në frymën festive dhe optimiste, dua të kujtoj se faqet e së kaluarës dhe të së tashmes sonë shënojnë suksese të shumta në shumë fusha”, thuhet në urimin e presidentes së Republikës, Gordana Siljanovska Davkova. Sipas saj, në këto 35 vjet janë ndërtuar institucione funksionale dhe ndërgjegjësimi për të mirën e përbashkët dhe interesin shtetëror e kombëtar.
“Krijuam një ushtri të NATO-s që garanton sigurinë tonë. Zhvilluam dhe po zhvillojmë një ekonomi rezistuese ndaj presioneve dhe të hapur ndaj tregjeve botërore. Fituam miq dhe partnerë strategjikë, të cilët na mbështesin në rrugën e gjatë dhe me gjemba drejt Evropës. Kemi një vetëdije të qartë për përkatësinë evropiane dhe një objektiv strategjik për anëtarësimin evropian.”, thuhet në urimin e presidentes Siljanovska.
Edhe kryeparlamentari Afrim Gashi ka veçuar këtë datë si një nga datat më të rëndësishme në historinë e vendit tonë.
“35 vjet për jetën e një shteti nuk janë shumë, por ato janë të mjaftueshme sa për ta kuptuar se shtetësia nuk arrihet vetëm me një akt politik, me një referendum ose vetëm me shpalljen e pavarësisë. Shteti është diçka që ndërtohet çdo ditë: me institucione funksionale, me ligj të barabartë për të gjithë, me përgjegjësi, me punë, me arsim, me zhvillim ekonomik dhe, mbi të gjitha, me njerëz që besojnë se e ardhmja e tyre personale është e lidhur me të ardhmen e përbashkët të shtetit.”, thuhet në urimin e kryetarit të Kuvendit.
