Botë
Varrimi i Mlladiçit, BE-ja kritika për nderimet në Beograd
08.09.2026 14:34
Von der Leyen ka shprehur keqardhje të thellë për elementet e mbështetjes zyrtare dhe praninë e disa zyrtarëve të lartë serbë....

Një ditë pas varrimit me nderime shtetërore të kriminelit të luftës, Ratko Mlladiç, presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, ka reaguar duke i cilësuar tronditëse pamjet nga ceremonia e mbajtur të hënën në Beograd. Ajo ka shprehur keqardhje të thellë për elementet e mbështetjes zyrtare dhe praninë e disa zyrtarëve të lartë serbë.
“Imazhet nga funerali i Ratko Mlladiçit dje në Beograd ishin tronditëse. Ratko Mlladiçi ishte një kriminel lufte i dënuar. Ai ishte përgjegjës për gjenocid, krime lufte dhe krime kundër njerëzimit. Ai vdiq ndërsa vuante dënimin me burgim të përjetshëm për gjenocidin e Srebrenicës dhe krime të tjera. Elementet e mbështetjes zyrtare dhe prania e disa zyrtarëve të lartë serbë në funeral janë thellësisht për të ardhur keq.”, - deklaroi presidentja e KE-së, Ursula von der Leyen.
Von der Leyen tha se prania e zyrtarëve serbë në ceremoni tregon dështimin për t’u përballur me një kapitull të errët të historisë së fundit të Evropës. Sipas saj, këto veprime bien ndesh me vlerat që mbështesin rrugën e Serbisë drejt Bashkimit Evropian. Në të njëjtën linjë ka reaguar edhe presidenti i Këshillit Evropian, Antonio Costa, i cili gjithashtu i ka cilësuar “tronditëse” pamjet nga funerali i Mlladiçit dhe ka kritikuar praninë e zyrtarëve të lartë serbë.
“Elementet e mbështetjes zyrtare dhe prania e disa zyrtarëve të lartë serbë në funeral janë thellësisht për të ardhur keq. Ato tregojnë një dështim për t’u përballur me një kapitull të errët të historisë së fundit të Evropës dhe bien ndesh me vlerat që mbështesin rrugën e Serbisë drejt Bashkimit Evropian.”, - theksoi presidenti i Këshillit Evropian, Antonio Costa.
Ratko Mlladiçi, i njohur si “Kasapi i Bosnjës”, u dënua me burgim të përjetshëm nga Tribunali i Hagës për gjenocid, krime lufte dhe krime kundër njerëzimit të kryera gjatë luftës në Bosnje dhe Hercegovinë. Ai ishte përgjegjës për forcat serbe të Bosnjës gjatë masakrës së Srebrenicës, ku u vranë mijëra burra dhe djem boshnjakë. Reagimet nga krerët e institucioneve evropiane vijnë në një kohë kur Serbia vazhdon procesin e saj të integrimit në Bashkimin Evropian. Brukseli ka kërkuar vazhdimisht që Beogradi të përballet me të kaluarën e luftërave të viteve ’90 dhe të respektojë vlerat themelore evropiane.
FARIJE DAUTI BAKIU
