Maqedoni

QMK: 9 zjarre aktive, DMSh: Rreziku akoma shumë i lartë

08.09.2026 14:41

Numri i zjarreve në vendin tonë vazhdon të mbetet i lartë, edhe pse temperaturat, sidomos gjatë orëve të natës, kanë filluar të bien....

Numri i zjarreve në vendin tonë vazhdon të mbetet i lartë, edhe pse temperaturat, sidomos gjatë orëve të natës, kanë filluar të bien. Autoritetet informojnë për numrin e zjarreve, por edhe apelojnë qytetarët për kujdes në ambient të hapur, sepse nga një pakujdesi e vogël po shkaktohen katastrofa të mëdha. Sipas Qendrës për Menaxhimin e Krizave (QMK), në vendin tonë janë regjistruar gjithsej 16 zjarre, nga të cilat 9 janë aktive, 4 janë nën kontroll dhe 3 janë shuar. Sara Baruti nga kjo Qendër për TVM2, ka theksuar se zjarret aktive vazhdojnë të jenë në Strugë, Lokov, Selcë, por shpresojnë se gjatë 24 orëve në vazhdim të njëjtat do të shuhen. 
 
“QMK informon se deri në këto momente në territorin e vendit, zjarre aktive janë 9 në hapësirë të hapur, ndërsa 4 zjarre janë nën kontroll. Zjarre aktive ka në Strugë, në Brod, në Kërçovë, Tetovë, Zhelinë, Gostivar dhe Dollnen. Më të përhapurat janë në zonat e Burrinecit dhe Lukovit të Strugës, në Belinçë dhe Bençë të Brodit, si dhe në Knezhinë të Kërçovës. Nën kontroll janë zjarret në Tajmishte të Kërçovës, Kopanicë të Sarajit, deponinë e Delçevës dhe Brest të Çuçer Sandevës. Ekipet në terren vazhdojnë me ndërhyrjet, ndërsa situata monitorohet dhe koordinohet vazhdimisht nga QMK-ja.”, - deklaroi Sara Baruti nga QMK.
 
Edhe nga Drejtoria për Mbrojtje dhe Shpëtim theksojnë se rreziku për përhapjen e zjarreve të reja është akoma shumë i lartë, dhe për shkak festave mundësia e lëvizjes së qytetarëve në ambiente të hapura do të jetë e lartë. 
 
“Rreziku për përhapjen e zjarreve në ambient të hapur është akoma shumë e lartë. Gjatë ditës së sotme të festës presim që të ketë lëvizje të qytetarëve, me çka apelojmë tek të gjithë qytetarët që të jenë shumë të vëmendshëm, sepse mjafton vetëm një shkëndijë për katastrofë të madhe. Asnjë nga zjarret aktive nuk paraqesin rrezik për fshatrat ne banorët.”, - theksoi drejtori i DMSh-së, Stojançe Angellov.
 
Nga DMSh-ja, qytetarët po ashtu kanë apeluar që të gjithë ato të cilët do të mund të vërejnë dikë që qëllimisht ndezin zjarre në ambient të hapur, t’i denoncojnë deri tek organet e rendit, sepse për shkak personave të pandërgjegjshëm, sipas DMSh-së, vendi vazhdon të përballet me rreziqe të ndryshme. 
 
FITIM KRYEZIU