Maqedoni

Mogerini: kompromisi në bazë të marrëveshjes së 2 qershorit

18.06.2015 16:30

U dha edhe një porosi nga Brukseli për zgjidhje urgjente të krizës politike në Maqedoni...

Kjo porosi iu dha në ditën e dytë të vizitës në Bruksel zëvendëskryeministrit, Fatmir Besimi, nga shefja e Diplomacisë evropiane, Federika Mogerini.
 
Ajo përsëriti thirrjen e BE-së ndaj liderëve në vend, që interesat e qytetarëve dhe shtetit t’i vendosen mbi interesat partiake. Mogerini gjithashtu theksoi se kompromisi politik afatgjatë duhet të bazohet në marrëveshjen e 2 qershorit të arritur në Shkup. 
 
Zëvendëskryeministri për çështje evropiane, Fatmir Besimi, tha se BE-ja pret që liderët në vend të tregojnë pjekuri politike dhe të gjejnë mënyrë që do të zgjidhin ngërçin politik, si dhe ta kthejnë besimin e qytetarëve te shteti dhe institucionet.                                                                                                              
 
“Mesazhet ishin se dialogu politik duhet të vazhdojë, liderët politik të gjejnë mundësi për implementim efektiv të dialogut të arritur më dy qershor, duke vendosur këtu interesat e qytetarëve të vendit para interesit partiak. Mesazhi i dytë ishte që reformat duhet të vazhdojnë, duhet vënë fokus kryesor ndaj reformave për integrim evropian të RM-së, gjegjësisht të bëhet implementimi i raportit me rekomandime për Maqedoni”- deklaroi zëvendëskryeministri për çështje evropiane, Fatmir Besimi.    
                                                                                             
Sipas tij, gjatë javës së ardhshme në Këshillin e BE-së do të ketë diskutime për Maqedoninë dhe Brukseli me shqetësim të madh do të përcjellë situatën në vend.
 
“Pritet që sa më shpejt lidershipi politik në Maqedoni të tregojë hapa të mëtutjeshëm drejt një marrëveshje apo implementim për të vijuar reformat evropiane, interesave të qytetarëve dhe të ardhmes evropiane të vendit”- tha zëvendëskryeministri për çështje evropiane, Fatmir Besimi.                              
 
Për atë se a kanë biseduar me përfaqësuesen e lart të BE-së edhe për paralajmërimet se javën e ardhshme 4 liderët politik, Nikolla Gruevski, Zoran Zaev, Ali Ahmeti dhe Menduh Thaçi sërish do të takohen në Bruksel për të negociuar dhe krahas komisionerit Han bisedimeve a do t’u bashkëngjitet edhe Mogerini, Besimi tha se kjo s’ka qenë temë diskutimi.
 
Tani për tani dërgohen porosi drejt liderëve politik që të bëjnë përpjekje maksimale për të riaktivizuar dialogut politik, me qëllim që të zbatohet ajo që pritet nga vendi, tha Besimi. 
 
Ndryshe, ofensivë diplomatike ndërkombëtare, përfshi edhe angazhimin e ambasadorit amerikan, Xhes Bejli, dhe euroambasadorit, Aivo Orav, për të përafruar qëndrimet e liderëve të partive më të mëdha maqedonase, pritet të ndodhë brenda 10 ditësh, gjegjësisht para takimit të ministrave të jashtëm të vendeve anëtare të BE-së në Bruksel.  
 
SANIJE KASAMI