Pesë vite nga tragjedia në Spitalin Modular, familjarët ende presin drejtësinë
08.09.2026 15:32
Pesë vite nga tragjedia në Spitalin Modular në Tetovë, ku humbën jetën 14 persona, familjarët ende presin drejtësinë....

Pesë vite nga tragjedia në Spitalin Modular në Tetovë, ku humbën jetën 14 persona, familjarët ende presin drejtësinë. Ata thonë se pas pesë vitesh, përgjegjësit nuk janë përcaktuar dhe se çështja nuk ka marrë epilogun që ata kërkojnë. Përballë kësaj situate, familjarët paralajmërojnë se drejtësinë do ta kërkojnë edhe jashtë vendit, përfshirë edhe në gjykatat ndërkombëtare.
“Ne si familjarë nuk do të dorëzohemi askund, asnjëherë. Edhe pse janë bërë pesë vjet nga tragjedia, ne nuk dorëzohemi derisa ta kërkojmë drejtësinë. Kemi biseduar edhe me avokatin tonë dhe duhet të ecim me këtë çështje edhe në Gjykatën Ndërkombëtare për ta kërkuar drejtësinë tonë.”, - u shpreh familjari, Mumin Ismail.
Familjarët kërkojnë përgjigje edhe për rrethanat në të cilat ndodhi zjarri. Ata thonë se disa çështje mbeten të pasqaruara dhe se përgjegjësia nuk duhet të kufizohet vetëm te personat që janë proceduar deri më tani.
“Këtu drejtësi nuk kemi. Fajtorët janë të lirë. Unë kam qenë në spital atë natë dhe kam qenë dëshmitar. Edhe sot vazhdon të diskutohet nëse ka pasur apo nuk ka pasur aparat kundër zjarrit. Unë ju them qartë atë natë të tmerrshme, ka pasur aparat kundër zjarrit.”, - theksoi familjari, Mumin Ismaili.
Ndërkohë, një tjetër premtim që, sipas familjarëve, ka mbetur pa u realizuar, është ndërtimi i një parku memorial në vendin ku ndodhi tragjedia. Ata thonë se kanë zhvilluar disa takime me ish-ministrin e Shëndetësisë, Azir Aliu, nga i cili kishin marrë premtime se parku memorial do të realizohej brenda gjashtë muajve. Por, më shumë se një vit pas këtij premtimi, projekti ende nuk është realizuar. Nga ana tjetër, pesë vite pas tragjedisë, Prokuroria Themelore Publike ka marrë vendim për mbylljen përfundimtare të rastit. Por, për familjarët, kjo nuk do të thotë se çështja është mbyllur. Ata thonë se do të vazhdojnë të kërkojnë drejtësi, edhe nëse kjo nënkupton që rasti të dërgohet në institucionet ndërkombëtare. Ndërsa sot në vendin ku ndodhi zjarri, organizata joqeveritare “Më mirë për Tetovën” vendosi një pllakë përkujtimore me emrat e të gjitha viktimave. Një pllakë që synon të ruajë kujtimin e 14 jetëve të humbura dhe të mos lejojë që tragjedia të harrohet.
VISAR SADIKI
