RMV-ja, 35 vjet pavarësi, uruan krerët shtetërorë e liderët politikë
08.09.2026 15:36
Përvjetori i pavarësisë së shtetit kaloi me urime e qëndrime të krerëve shtetërore dhe liderëve politikë...

Përvjetori i pavarësisë së shtetit kaloi me urime e qëndrime të krerëve shtetërore dhe liderëve politikë. Duke bërë një përshkrim historik 35-vjeçar të shtetit, presidentja Gordana Siljanovska Davkova u ndal edhe tek problemet aktuale të vendit. Si sfidë përmendi shpërnguljen e të rinjve, zbrazjen e shkollave dhe në përgjithësi problemet demografike. Çrrënjosja e kriminalitetit dhe korrupsionit luan rol kryesor në ndërtimin e një shoqërie të qetë dhe të drejtë, potencon Siljanovska.
“Ndërtuam institucione funksionale dhe zhvilluam ndërgjegjësimin për të mirën e përbashkët dhe interesin shtetëror e kombëtar. Krijuam një ushtri të NATO-s që garanton sigurinë tonë. Zhvilluam dhe po zhvillojmë një ekonomi rezistuese ndaj presioneve dhe të hapur ndaj tregjeve botërore. Fituam miq dhe partnerë strategjikë, të cilët na mbështesin në rrugën e gjatë dhe me gjemba drejt Evropës. Kemi një vetëdije të qartë për përkatësinë evropiane dhe një objektiv strategjik për anëtarësimin në Evropë.”, thuhet në urimin e presidentes.
Kryetari i Kuvendit të Republikës, Afrim Gashi, në urimin e tij me rastin e 8 Shtatorit, tha se 35 vjet shtetësi është një periudhë e mjaftueshme për të kuptuar se shtetësia nuk arrihet vetëm përmes një akti politik, referendumit apo shpalljes së pavarësisë.
“Këtë përvjetor duhet ta shohim me besim dhe optimizëm, përmes asaj që kemi ndërtuar dhe përmes asaj që na ka mbetur pa u bërë.”, shtoi Gashi.
“Republika jonë është shtëpi e qytetarëve me përkatësi të ndryshme etnike, gjuhësore, fetare dhe kulturore. Ky diversitet nuk duhet të jetë burim ndarjeje, por forcë e përbashkët. Në themel të shtetit tonë duhet të qëndrojë gjithmonë barazia dhe ndjenja se çdo qytetar e ka vendin e tij të barabartë në shtet. Është detyra jonë e përbashkët të ndërtojmë një shtet ku institucionet u shërbejnë qytetarëve, ku ligji zbatohet njësoj për të gjithë, ku korrupsioni nuk tolerohet dhe ku perspektiva evropiane është një qëllim i përbashkët.”, thuhet në urim.
Për pavarësinë e vendit ka uruar edhe subjekti politik në pushtet, VLEN-i. Për ta, kjo datë përfaqëson vullnetin e qytetarëve për të jetuar në një shtet të lirë, demokratik dhe sovran, duke shtuar se shqiptarët janë pjesë e pandashme e historisë dhe kontribuues në ndërtimin e shtetit drejt familjes evropiane.
“Për VLEN-in, rruga evropiane e Maqedonisë së Veriut nuk ka alternativë. Integrimi në Bashkimin Evropian do të thotë më shumë standarde, më shumë mundësi për qytetarët, institucione më të forta dhe një të ardhme më të sigurt për brezat e rinj. Ta shënojmë këtë 35-vjetor me krenari për atë që kemi arritur, por edhe me përgjegjësi për atë që duhet të ndërtojmë.”, thuhet në kumtesën e VLEN-it.
Pavarësinë e RMV-së e ka uruar edhe kreu i BDI-së, Ali Ahmeti. Përkujton padrejtësitë që iu bënë shqiptarëve dhe komuniteteve të tjera ndër vite.
“Ndryshimet kushtetuese të vitit 1989, mënyra se si u vendos rendi kushtetues në fillim të viteve ’90-ta, si dhe përjashtimi i shqiptarëve dhe komuniteteve të tjera nga proceset kyçe të krijimit të shtetit, krijuan një hendek të thellë mes shtetit dhe një pjese të qytetarëve të tij.”, shkruan lideri i BDI-së, Ali Ahmeti.
Nuk ka munguar as urimi i kryesocialdemokratit Venko Filipçe.
“Të parët tanë luftuam që ta kemi shtetin tonë, ndërsa gjenerata jonë e ka për obligim që të luftojë që fëmijët tanë të jetojnë në të, të luftojë për Maqedoni Evropiane.”, shkruan kreu i LSDM-së.
Përvjetori i pavarësisë është uruar edhe nga liderë të tjerë të subjekteve politike dhe figura të ndryshme publike.
NERMIN MULAKI FEJZULLAHU
