Botë

Shqipëri, Kuvendi nis sot sesionin e ri

08.09.2026 15:48

Në Gjykatën e Tiranës dhe atë të Apelit administrata bojkotoi punën, pasi ende nuk kanë marrë pagat e muajit gusht....

Në Gjykatën e Tiranës dhe atë të Apelit administrata bojkotoi punën, pasi ende nuk kanë marrë pagat e muajit gusht. Shkak është bërë rritja e tyre jo nga Kuvendi, siç e përcakton ligji, por nga Këshilli i Lartë Gjyqësor dhe ai i Prokurorisë.
Kjo ishte edhe tema e përplasjes së parë e opozitës dhe mazhorancës në nisje të sesionit të ri parlamentar.
 
PD-ja akuzon Kuvendin se po e çon drejt kolapsit sistemin e drejtësisë.
 
“Vota jonë është kundër, propozimi i paraqitur është në kundërshtim me standardet që ka vendosur Kushtetuesja. Nuk mund të votojmë një iniciativë që nuk reflekton në formën e plotë vendimin e Gjykatës Kushtetuese.”, - deklaroi kreu i grupit të PD-së, Gazment Bardhi.
 
Ndërsa socialisti Taulant Balla thotë se kjo çështje do të marrë zgjidhje me 17 shtator, në seancën e parë të rregullt të sesionit.
 
“Projektligji është depozituar brenda afatit të caktuar nga Kushtetuesja dhe do të shqyrtohet me prioritet. Kemi parashikuar shqyrtimin dhe miratimin e këtij projektligji në datën 17 shtator.”, - theksoi kreu i grupit të PS-së, Taulant Balla.
 
Në konferencën e kryetarëve, mazhoranca dhe opozita nuk gjetën dakordësi për projekt-kalendarin e punimeve të Kuvendit, i cili do t’i kalojë për miratim seancës plenare.
 
LULJETA NDOKA