35 vjet pavarësi e Maqedonisë së Veriut, Mickoski: Të qëndrojmë të bashkuar

08.09.2026 15:58

Thirrje për bashkim rreth interesave të shtetit dhe reflektim mbi rrugën e kaluar, por edhe mbi atë që duhet bërë në të ardhmen...

Thirrje për bashkim rreth interesave të shtetit dhe reflektim mbi rrugën e kaluar, por edhe mbi atë që duhet bërë në të ardhmen. Këto kanë qenë mesazhet kryesore nga manifestimi qendror për 35-vjetorin e pavarësisë së Maqedonisë së Veriut, ku kryeministri Hristijan Mickoski ka vlerësuar rrugëtimin e vendit që nga referendumi i 8 Shtatorit 1991. Në ceremoninë shtetërore janë përmendur arritjet e vendit, por edhe periudhat e vështira dhe mundësitë që ndër vite nuk janë shfrytëzuar. Mickoski është ndalur edhe te përgjegjësia për të vlerësuar me sinqeritet atë që është bërë ndër vite.
 
“Ne kemi detyrim që këtë 35-vjetor të mos e kthejmë në një vetëkënaqësi boshe, por të shohim sinqerisht drejt ngritjes sonë dhe rrënjëve tona. Kohët kur kemi qenë në lartësinë e detyrës sonë historike dhe në kohën kur nuk kemi qenë të denjë për sakrificat dhe idealet e brezave para nesh. Gjatë këtyre tre dekadave e gjysmë kemi ndërtuar institucione, kemi krijuar sistemin tonë monetar dhe ekonomik, ne jemi bërë anëtarë të Kombeve të Bashkuara, po ashtu edhe të NATO-s. Kemi kaluar embargo, kriza, konflikte, tronditje ekonomike dhe ndarje politike. Jemi përballur me çështje të vështira për të ardhmen tonë dhe në shumë momente ne kemi treguar se një shtet i vogël mund të ketë vullnet shumë të madh për mbijetesë.”, - deklaroi kryeministri, Hristijan Mickoski.
 
Në ceremoninë për 35-vjetorin është folur edhe për nevojën e bashkimit rreth interesave të shtetit. Mickoski ka bërë thirrje për bashkëpunim pavarësisht dallimeve politike, duke e lidhur këtë me synimin për një të ardhme më të mirë për qytetarët.
 
 “T’u lëmë brezave pas një shteti ku nuk do të trashëgojnë urrejtje të vjetra, por mundësi të reja dhe kemi treguar se mund të fitojmë, sepse Qeveria, në kushte të vështira, ka arritur rezultate. Rritja më e lartë në tremujorin e dytë u shënua me rritje të Bruto Prodhimit Vendor prej 4.3 për qind, që është një nga gjërat më të mira që ka ndodhur në Evropë. Duhet të kemi parasysh se vitin e kaluar, në tremujorin e dytë, ishte 3.5 për qind. Inflacioni, i cili ishte dyfishuar, tani është nën kontroll.”, - theksoi kryeministri, Hristijan Mickoski.
 
Mickoski ka thënë se pavarësisht sfidave dhe faktit që jo gjithçka është ideale, puna e institucioneve duhet të vazhdojë me fokus te rezultatet dhe e ardhmja e vendit. Ai ka theksuar se përgjegjësia është të punohet çdo ditë për një të ardhme më të mirë.
 
FARIJE DAUTI BAKIU