Rajon
Kurti: Po bisedojmë për presidentin, synimi, shmangia e zgjedhjeve të reja
08.09.2026 16:16
Që Kosova të mos shkojë përsëri në zgjedhje, bisedimet ndërmjet subjekteve politike duhet të vazhdojnë....

Që Kosova të mos shkojë përsëri në zgjedhje, bisedimet ndërmjet subjekteve politike duhet të vazhdojnë. Kështu ka deklaruar kryeministri në detyrë dhe kreu i LVV-së, Albin Kurti, i cili tha se aktualisht po zhvillohen takime me përfaqësues të partive politike për gjetjen e një zgjidhjeje për zgjedhjen e presidentit. Kurti tha se një tjetër proces zgjedhor do të ishte i panevojshëm dhe i kushtueshëm për vendin. Ndërkohë, partitë politike mbeten përballë sfidës për të arritur një marrëveshje që do t’i hapte rrugë funksionalizimit të institucioneve.
“Vazhdojmë me takime, bisedime, në mënyrë që ta zgjedhim presidentin dhe të mos kemi nevojë t’i përsërisim zgjedhjet që janë të paarsyeshme.”, - deklaroi kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.
Kurti nuk dha detaje se me cilat subjekte politike po zhvillohen bisedimet, por tha se komunikimi për këtë çështje është i vazhdueshëm. Ai u shpreh se synimi është që përmes marrëveshjes politike të shmanget përsëritja e zgjedhjeve dhe të gjendet një zgjidhje për funksionalizimin e institucioneve. Lidhur me paralajmërimet e disa deputetëve për bojkotimin e procesit të zgjedhjes së presidentit, Kurti tha se ai vazhdon të jetë në komunikim me përfaqësuesit politikë.
“Unë jam vazhdimisht me të tjerët dhe besoj që duhet t’ua shtroni pyetjet atyre të cilët thonë se do ta bojkotojnë zgjedhjen e presidentit.”, - theksoi kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.
Ndërkohë, vëmendja politike është përqendruar edhe te vazhdimi i seancës konstituive të Kuvendit. Kurti ka konfirmuar se deputetët e LVV-së do të jenë të pranishëm në seancën e radhës, ndërsa mbetet e paqartë nëse partitë do të arrijnë një marrëveshje që do ta zhbllokojë procesin institucional. Çështja e presidentit shihet si një prej pikave kyçe për tejkalimin e situatës aktuale, pasi për zgjedhjen e tij kërkohet shumicë e cilësuar në Kuvend. Për këtë arsye, takimet dhe negociatat ndërmjet partive pritet të intensifikohen në ditët në vijim.
VLORA TOPOJANI
