Botë
Australia ashpërson rregullat për rrjetet sociale, përdoruesit do të zgjedhin përmbajtjen që shohin
08.09.2026 16:41
Australia ashpërson rregullat për rrjetet sociale...

Australia ashpërson rregullat për rrjetet sociale. Qeveria propozon që përdoruesit mbi 16 vjeç të zgjedhin nëse duan përmbajtje të rekomanduara nga algoritmet apo vetëm postimet e llogarive që ndjekin. Masat synojnë të rrisin kontrollin e qytetarëve dhe të mbrojnë fëmijët nga përmbajtjet e dëmshme.
“Vitin e kaluar Australia ndërmori një hap që ishte i pari në botë, duke ndaluar fëmijët nën moshën 16-vjeçare të kenë llogari në rrjetet sociale. Sot po i çojmë këto ligje edhe më tej, për t’u siguruar që ato të funksionojnë ashtu siç synohej.”, - deklaroi kryeministri i Australisë, Anthony Albanese.
Platformat do t’u japin përdoruesve mundësinë të zgjedhin përmbajtjen që shohin. Ndërsa kompanitë teknologjike do të kenë detyrime më të forta për mbrojtjen e fëmijëve, me gjoba mbi 100 milionë dollarë australianë për shkeljet.
“Për një kohë të gjatë, kompanitë e teknologjisë kanë kryer testime në kohë reale dhe të parregulluara mbi australianët. Platformat e tyre kanë depërtuar në jetën tonë të përditshme, në mënyra që nuk mund t’i kishim imagjinuar. Disa kanë sjellë gjëra të mira, por disa kanë pasur pasoja të tmerrshme.”, - theksoi ministrja për Komunikimet, Anneka Wells.
Nisma ka marrë mbështetje edhe nga aktivistë dhe organizata që merren me mbrojtjen e fëmijëve. Ata kërkojnë masa më të forta ndaj përmbajtjeve që mund të dëmtojnë të miturit.
“Nevojitet mbështetje. Të gjithë kemi nevojë për të në momente të caktuara të jetës sonë, ndërsa fëmijët kanë nevojë për të edhe më shumë.”, - u shpreh aktivistja, Emma Mason.
Kritikat janë përqendruar te ndikimi i rrjeteve sociale në shëndetin mendor, veçanërisht te përmbajtjet që lidhen me peshën dhe pamjen fizike.
“Duhet të veprojmë tani, sepse çdo javë që kalon, humbasim fëmijë australianë për shkak të rrjeteve sociale. Nuk mund të lejojmë që kjo të ndodhë përsëri.”, - u shpreh babai i një viktime, Wayne Holdsworth.
“Çdo muaj humbasim 100 australianë nga çrregullimet e të ushqyerit. Ne e dimë se përmbajtjet e idealizuara dhe të fokusuara te pesha janë ndër faktorët kryesorë që ndikojnë në zhvillimin e këtyre çrregullimeve.”, - theksoi Jim Hungerford nga “BUTTERFLY FOUNDATION”.
Projektligjet janë tashmë në konsultim. Qeveria australiane synon t’i çojë ato përpara në Parlament, ndërsa kompanitë e teknologjisë pritet të përballen me rregulla shumë më të ashpra.
VLORA LATIFI TOPOJANI
