Botë
Merkel jep dritë shprese: marrëveshja me Greqinë ende e mundur
18.06.2015 16:37
Kancelarja gjermane, Angela Merkel, jep një dritë shprese për Greqinë me deklaratën se arritja e një marrëveshjeje për borxhin grek është ende e mundur...

Jo çdo mundësi është e mbyllur për vulosjen e paktit me kreditorët, BE-në, Fondin Monetar Ndërkombëtar dhe Bankën Qendrore Evropiane, ndërsa Gjermania duket se është motori kryesor mbështetës i qëndrimit të Greqisë në Eurozonë, siç pohoi vetë kancelarja përpara Bundestagut.
Athina, megjithatë, theksoi ajo, duhet t’i përmbahet deri në fund angazhimit për reforma.
“Greqia nuk është vendi i vetëm në Eurozonë që ishte e varur nga mbështetja evropiane në vitet e fundit. Vazhdoj të jem e bindur se ku ka vullnet, ka zgjidhje. Nëse qeveritarët grekë do të arrijnë ta grumbullojnë këtë vullnet, atëherë marrëveshja me tre institucionet huadhënëse ende është e mundur. Në muajin shkurt, qeveria greke u zotua të ndërmarrë reforma strukturore dhe kjo duhet bërë vërtet”- tha kancelarja gjermane, Angela Merkel.
Nga ana tjetër, mijëra grekë janë mbledhur në qendër të Athinës në mbështetje të kryeministrit Tsipras dhe përpjekjeve të tij të fundit për arritjen e një marrëveshjeje me kreditorët. Ata brohorisin me parulla në duar “Jetët tona nuk u përkasin huadhënësve” dhe “Ne nuk shantazhohemi”.
“Jemi të kënaqur, për shkak se populli po u dërgon mesazhin e tij kreditorëve tanë, se propozimet që ata kanë dorëzuar nuk janë aspak bujare dhe do ta çojnë vendin në qorrsokak”- tha ministri i Brendshëm i Greqisë, Nikos Voutsis.
Samiti i Eurogrupit do t’i japë një prej shanseve të fundit Greqisë, që do të shmangte daljen e saj nga zona e euros. Ekspertët mendojnë se shkëputja e Greqisë mund të ishte fillimi i fundit të Eurozonës, si dhe fundi i rolit drejtues të Merkelit në kontinentin e vjetër dhe një fiasko, të cilën do t'ia ngarkonin në radhë të parë asaj.
FARIJE DAUTI-BAKIJU
