Botë

Rusia rikthen sulmet në Kiev, tensionet me Moskën përshkallëzohen

08.09.2026 17:07

Vetëm një ditë pas takimeve diplomatike të përfaqësuesve amerikanë në Moskë dhe Kiev...

Vetëm një ditë pas takimeve diplomatike të përfaqësuesve amerikanë në Moskë dhe Kiev, të cilët gjatë fundjavës udhëtuan për takime me Putinin dhe Zelensky-n, në përpjekje për të vazhduar procesin e paqes, sërish u dëgjuan sirenat në kryeqytetin ukrainas. Armëpushimi treditor i sulmeve ndaj Kievit përfundoi. Rusia ndërmori sulme të reja me raketa balistike dhe dronë. Ka viktima dhe dhjetëra të plagosur, ndërsa janë dëmtuar ndërtesa banimi dhe shkolla.
 
“Ky është një objekt afarist. Pas orës 03:00 të mëngjesit mora një telefonatë nga sigurimi që ishte në detyrë. Më tha se ishte dëgjuar një shpërthim i fuqishëm dhe se objekti ishte goditur. Kam investuar aq shumë në këtë vend, ndërsa dëmi është i madh.”, - deklaroi pronari i objektit të goditur, Igor Chigir.
 
“Gjithçka gjëmonte. Ishte e tmerrshme. Dy net fjeta e qetë për shkak të vizitës së të dërguarve amerikanë, më në fund patëm mundësi të pushonim pak. Le të vijnë më shpesh, që të mos na godasin.”, - theksoi banorja e Kievit, Irina Barisenkova.
 
Alarmet për sulme ajrore u dëgjuan edhe në rajone të tjera të Ukrainës, ndërsa forcat ukrainase iu kundërpërgjigjën me sulme ndaj një rafinerie nafte ruse në Saratov.
 
“Forcat tona rrëzuan 175 objektiva ajrore, por raketat balistike mbeten veçanërisht të vështira për t’u interceptuar. Prandaj, nga partnerët tanë, nga ShBA-ja dhe Evropa, çdo ditë kërkojmë sisteme shtesë të mbrojtjes ajrore. Kjo nënkupton drejtpërdrejt shpëtimin e jetëve njerëzore.”, - u shpreh presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky. 
 
Në planin diplomatik, pasi Uashingtoni deklaroi se si Rusia, ashtu edhe Ukraina duhet të bëjnë kompromise për t’i dhënë fund luftës, Kremlini nuk e përjashtoi mundësinë e vazhdimit të negociatave, por vlerëson se është ende herët për detaje konkrete.
 
“Nuk e përjashtojmë mundësinë e vazhdimit të këtij formati trepalësh, por është herët të flitet për vendin dhe kohën e saktë.”, - deklaroi zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov.
 
Zelensky vlerëson se Putini mund të kërkojë t’i sigurojë Trump-it një sukses diplomatik para zgjedhjeve afatmesme në ShBA, ndërsa Moska nuk po tregon gatishmëri për kompromise serioze. Ndërkohë, tensionet mes Rusisë dhe Gjermanisë po rriten pas mbylljes së konsullatave dhe përplasjeve diplomatike.
 
“Nuk do të tërhiqem asnjë milimetër nga bindja ime se duhet ta mbrojmë lirinë tonë nga Rusia dhe se, nëse ndalojmë së mbështeturi Ukrainën, gjërat do të bëhen edhe më keq.”, - theksoi kancelari i Gjermanisë, Friedrich Merz.
 
Brukseli paralajmëron se Evropa duhet të jetë e përgatitur për sulme të reja hibride dhe akte sabotimi nga Rusia.
 
“Me afrimin e zgjedhjeve për Dumën, duhet të jemi të përgatitur për provokime të reja në territorin evropian. Me gjasë do të shohim më shumë sulme si ai në Leipzig dhe duhet të jemi të gatshëm të përgjigjemi.”, - u shpreh përfaqësuesja e lartë e BE-së për Politikën e Jashtme, Kaja Kallas.
 
Për shkak të tensioneve në rritje me Moskën, vendet evropiane po forcojnë masat e sigurisë. Finlanda ka përfunduar ndërtimin e një gardhi prej 200 kilometrash në kufirin lindor me Rusinë, duke e vlerësuar atë si pjesë të rëndësishme të sigurisë kombëtare dhe evropiane. 
 
VLORA LATIFI TOPOJANI