Maqedoni

Bajrami dërgohet në paraburgim në “Shutkë”

09.09.2026 10:10

Nga MPB-ja konfirmuan se Bajrami mëngjesin e sotëm është dorëzuar vetë....

Ish-drejtori i “Lotarisë Shtetërore”, Përparim Bajrami, i cili për më shumë se një vit ishte i paarritshëm për organet e ndjekjes, ndodhet në paraburgim në Burgun e Shkupit, konfirmuan nga institucioni për TVM-në.
 
Nga MPB-ja konfirmuan se Bajrami mëngjesin e sotëm është dorëzuar vetë.
 
“Sot, në orën 05:35, në pikën kufitare Bllacë e Poshtme, për hyrje në RMV është paraqitur Përparim Bajrami (33), i kërkuar me fletarrest ndërkombëtar me urdhër të Prokurorisë Themelore Publike Shkup, nr. XVII KO nr. 4232/24, të datës 17.12.2024. Personi është privuar nga liria dhe është dërguar në Institucionin Ndëshkues-Korrektues Burgu i Shkupit”, njoftuan nga MPB-ja.
 
Bajrami dyshohet për përvetësim dhe keqpërdorim të pozitës zyrtare në rastin që lidhet me “Lotarinë Shtetërore”. Me dorëzimin e Bajramit, edhe një nga personat që kërkohej nga organet maqedonase të ndjekjes tani është në dispozicion të procedurës.
 
Në të njëjtin rast dyshohet edhe ish-zëvendëskryeministri i parë Artan Grubi dhe gjashtë persona të tjerë. Gjykimi për “Lotarinë Shtetërore” vazhdon të premten.