Botë

Rusi – Ukrainë, paqja ende nuk është në horizont

09.09.2026 11:12

Rubio theksoi se ende ka shumë punë të rëndësishme për t’u bërë për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë....

Sekretari amerikan i shtetit, Marco Rubio, theksoi se ende ka shumë punë të rëndësishme për t’u bërë për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë. Gjatë javëve të ardhshme pritet të hartohet një plan për rifillimin e bisedimeve dhe potencialisht të arrihet një marrëveshje e pranueshme për të dyja palët.
 
“Ekziston mundësia që gjatë javëve të ardhshme të zhvillohet një udhërrëfyes për vazhdimin e bisedimeve dhe ndoshta të arrihet në përfundimin se kjo është e pranueshme për të dyja palët. Fundjava ishte produktive në kuptimin që angazhimi u rifillua pas disa muajsh mosangazhimi në këtë çështje edhe nga ana jonë, sepse thjesht nuk pamë përparim dhe u vunë në tryezë ide thelbësore për të cilat, të paktën për herë të parë, dukej se kishte një lloj hapjeje të përgjithshme. Por, ende mbetet shumë punë për t’u bërë.”, deklaroi sekretari amerikan i shtetit, Marco Rubio.
 
Përndryshe përfaqësuesit amerikanë Witkoff dhe Kushner vizituan Moskën dhe Kievin gjatë fundjavës, në përpjekje për të ringjallur negociatat e ngecura të paqes. Rusia dhe Ukraina përkohësisht i ndërprenë sulmet ndaj kryeqyteteve të tyre gjatë vizitës, por Rusia i rifilloi sulmet pasi përfaqësuesit u larguan. Ndërkohë, Kievi gjatë natës, me dronë goditi një terminal nafte në qytetin rus të Novorossiysk. 
 
Përfaqësuesja e lartë e BE-së për Politikën e Jashtme, Kaja Kallas, thotë se sulmet e fundit ruse dëshmojnë edhe njëherë se Moska nuk është serioze në lidhje me negociatat e paqes. Kryediplomatja dënoi “luftën në hije” të Rusisë kundër vendeve evropiane.
 
“Deri tani, nuk ka shenja, përveç fjalëve, por nuk ka shenja se trupat amerikane po largohen, të paktën, nga ky rajon. Mendoj se kjo është shumë e rëndësishme, sepse prania amerikane këtu është gjithashtu një faktor parandalues për Rusinë.”, tha përfaqësuesja e lartë e BE-së për Politikën e Jashtme dhe Sigurinë, Kaja Kallas.
 
Dje, Kremlini konfirmoi se Putin-i dhe Trump-i kanë zhvilluar një bisedë telefonike që zgjati saktësisht një orë, gjatë së cilës diskutuan për veprimet që ShBA-ja mund të ndërmarrë për t’i dhënë fund më shpejt luftës në Ukrainë. Putin-i i theksoi Trump-it se Rusia “nuk ka absolutisht asnjë plan agresiv ndaj Evropës”.