Maqedoni

LSDM dhe VMRO-DPMNE përplasje për fjalimin e Mickoskit

09.09.2026 11:36

Përplasja politike mes LSDM-së dhe VMRO-DPMNE-së...

Përplasja politike mes LSDM-së dhe VMRO-DPMNE-së është ashpërsuar pas fjalimit të kryeministrit Hristijan Mickoski në shënimin e 8 Shtatorit – Ditës së Pavarësisë së Maqedonisë së Veriut. 
 
Nga LSDM-ja akuzojnë Mickoskin se, në vend të unitetit dhe festimit të shtetësisë, ai vazhdoi, siç thonë, me fushatën  e etiketimit të opozitës si “llum”, duke nxitur fyerje dhe përçarje mes qytetarëve. “Njësoj si për Ilindenin, në vend të unitetit dhe festimit të shtetësisë, dje, në Ditën e Pavarësisë, Mickoski vazhdoi fushatën ‘Llumi’, vazhdoi me fyerjet dhe përçarjen e qytetarëve.”, thuhet në reagimin e LSDM-së. 
 
Sipas opozitës, Mickoski nuk ka “asgjë shtetformuese” dhe nuk ka ndjenjë për rëndësinë e 8 Shtatorit dhe Ditës së Pavarësisë. VMRO-DPMNE reagoi ndaj kritikave të LSDM-së dhe liderit të saj, Venko Filipçe, duke vlerësuar se përfaqësuesit e opozitës “vetë u njohën” në fjalët e kryeministrit.
 
Nga VMRO-DPMNE theksojnë se Mickoski në fjalimin e tij nuk i ka përmendur askund as LSDM-në dhe as Venko Filipçen si “llum në shoqëri”. “Është e qartë se vetë u njohën”, thonë nga VMRO-DPMNE, duke shtuar se reagimi, sipas tyre, tregon një gjendje “frojdiane” brenda LSDM-së.
 
Nga partia në pushtet akuzojnë LSDM-në se është “fabrikë e nihilizmit dhe përçarjeve” dhe se edhe festën e 8 Shtatorit e përdor për të krijuar ndasi dhe për të përhapur urrejtje.