Botë

Kuvendi i Kosovës, rezolutë pas arrestimit të Haradinajt në Slloveni

18.06.2015 17:12

Kuvendi i Kosovës ka miratuar një rezolutë me anë të së cilës i kërkohet shtetit slloven lirimi i menjëhershëm dhe pa asnjë kusht i Ramush Haradinajt...

Po ashtu rezoluta parasheh që Qeveria e Kosovës të ngrit “Notë proteste” ndaj Sllovenisë.
 
“Qeveria dhe presidentja e Kosovës, urgjentisht të kërkojnë nga autoritetet sllovene që deputetit të Kosovës, ish kryeministrit të Qeverisë të RK-së dhe kryetarit për AA-së, z. Ramush Haradinajt pa asnjë kusht dhe menjëherë t’i kthehet pasaporta diplomatike dhe t’i lejohet kthimi në Kosovë. Nën 2: Qeveria e Kosovës të kërkojë nga Brukseli pastrimin e menjëhershëm të listave, respektivisht të fletarrestimeve të lëshuara nga Serbia për ish ushtarët e UÇK-së, dhe nën 3: drejtimi i notës së protestës drejtuar shtetit slloven nga institucionet e Kosovës”- deklaroi Donika Kada Bujupi nga AAK.                                                                                       
Por, kryeministrit të Kosovës, Isa Mustafës, nuk i pëlqeu pika e rezolutës që ka të bëjë me notën e protestës ndaj shtetit slloven. Për këtë çështje Mustafa tha se ka biseduar me kryeministrin slloven dhe janë ndërmarrë të gjitha masat që kjo çështje të zgjidhet.
 
“Unë kam biseduar me kryeministrin e Sllovenisë, me zotin Ceran për këtë çështje, ai e ka shpjeguar situatën në të cilën kanë qenë organet ligjore sllovene dhe përpjekjet e tyre që të ndërmerren të gjitha masat që kjo çështje të zgjidhe. Në këtë rast unë nuk shoh asnjë arsye që ne tash duhet të bëjmë notë proteste ndaj Sllovenisë, sepse ne duhet të kërkojmë që problemi të zgjidhet, por problemi të zgjidhet me marrëveshje ndërkombëtare në Bruksel, në mënyrë që mos të ketë më tutje raste të tilla”- tha kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa.      
            
Në vijë të njëjtë me Mustafën ishin edhe kryeparlamentari, Kadri Veseli, dhe shefi i Diplomacisë së Kosovës, Hashim Thaçi, të cilët e panë të panevojshme notën e protestës ndaj Sllovenisë. 
 
Por, deputeti i pavarur, Shaip Muja, në shenjë iritimi hoqi dorë në mënyrë demonstrative nga pasaporta diplomatike e Kosovës, të cilën e quajti të pavlerë pas asaj që ndodhi me Haradinajn në Slloveni.         
 
GYLTENE SINANI