Botë
Bisedimet për paqe në Ukrainë, ShBA: Ende shumë punë për marrëveshjen
09.09.2026 13:38
Lufta mes Rusisë dhe Ukrainës është përshkallëzuar përsëri, me sulme të fuqishme ajrore në të dyja anët...

Lufta mes Rusisë dhe Ukrainës është përshkallëzuar përsëri, me sulme të fuqishme ajrore në të dyja anët. Rusia goditi Kievin dhe rajone të tjera të Ukrainës, ndërsa Kievi u kundërpërgjigj me dronë në territorin rus. Në këtë situatë, sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, thotë se ende ka shumë punë, për t’i dhënë fund luftës. Gjatë javëve të ardhshme pritet të hartohet një plan për rifillimin e bisedimeve dhe potencialisht të arrihet një marrëveshje e pranueshme për të dyja palët.
“Ekziston mundësia që gjatë javëve të ardhshme të zhvillohet një udhërrëfyes për vazhdimin e bisedimeve dhe ndoshta të arrihet në përfundimin se kjo është e pranueshme për të dyja palët. Fundjava ishte produktive në kuptimin që u rifillua angazhimi, pas disa muajsh mosangazhimi edhe nga ana jonë, sepse thjesht nuk pamë përparim dhe nuk kishte ide konkrete në tryezë. Për herë të parë dukej se kishte njëfarë hapjeje të përgjithshme ndaj tyre. Por, ende mbetet shumë punë për t’u bërë.”, - deklaroi sekretari i shtetit i ShBA-së, Marco Rubio.
Përfaqësuesit amerikanë, Steve Witkoff dhe Jared Kushner, zhvilluan takime në Moskë me Vladimir Putin-in dhe më pas në Kiev me Volodymyr Zelensky-n, në një përpjekje të re të Uashingtonit për t’i rikthyer negociatat në tryezë. Gjatë vizitës së tyre pati një ulje të përkohshme të sulmeve ndaj kryeqyteteve, por pa një përparim konkret diplomatik. Pas largimit të tyre, luftimet dhe sulmet ajrore rifilluan, duke treguar se rruga drejt një marrëveshjeje mbetet e vështirë.
“Dëgjuam një shpërthim të tmerrshëm, shumë të frikshëm. Makina jonë është dëmtuar plotësisht.”, - tha një banor.
“Dëgjuam se po rrëzonin një Shahed, kishte atë zërin karakteristik. Ishte shumë afër. Burri më nxori nga shtrati, ndërsa fëmija ishte në korridor. Më vonë pamë se kishte pasur goditje. Thirrëm miqtë tanë dhe dolëm jashtë.”, - tha një banore tjetër.
Përfaqësuesja e lartë e BE-së për Politikën e Jashtme, Kaja Kallas, tha se sulmet e fundit ruse dëshmojnë edhe njëherë se Moska nuk është serioze në lidhje me negociatat e paqes.
Diplomatja e lartë dënoi “luftën në hije” të Rusisë kundër vendeve evropiane dhe theksoi rëndësinë e pranisë së trupave amerikane në kontinent.
“Deri tani nuk ka shenja, përveç fjalëve, se trupat amerikane po largohen nga ky rajon. Mendoj se kjo është shumë e rëndësishme, sepse prania amerikane këtu është gjithashtu një faktor parandalues ndaj Rusisë.”, - theksoi përfaqësuesja e lartë e BE-së për Politikën e Jashtme dhe Sigurinë, Kaja Kallas.
Një ditë më parë, Kremlini konfirmoi se presidentët rus dhe amerikan zhvilluan një bisedë telefonike prej saktësisht një ore, gjatë së cilës diskutuan për masat që ShBA-ja mund të ndërmarrë për përshpejtimin e përfundimit të luftës. Putin-i i theksoi Trump-it se Rusia nuk ka absolutisht asnjë plan agresiv ndaj Evropës.
FARIJE DAUTI BAKIU
