Botë
Britania sanksionon vendbanimet izraelite, Izraeli kundërpërgjigjet ndaj Londrës
09.09.2026 13:59
Britania ka vendosur sanksione të reja tregtare ndaj vendbanimeve izraelite...

Për shkak të zgjerimit të vendbanimeve izraelite në tokat palestineze në Bregun Perëndimor, Britania ka vendosur sanksione të reja tregtare ndaj vendbanimeve izraelite, në një nga përplasjet më të forta diplomatike mes Londrës dhe Tel Avivit. Qeveria britanike ka njoftuar ndalimin e importeve të mallrave të prodhuara në vendbanimet izraelite në Bregun Perëndimor të pushtuar, ndërsa ka paralajmëruar edhe masa ndaj kompanive dhe individëve që financojnë, ndërtojnë apo lehtësojnë zgjerimin e këtyre vendbanimeve. Londra thotë se politika e vendbanimeve po minon perspektivën për krijimin e një shteti palestinez dhe zgjidhjen me dy shtete.
“Zgjerimi i vazhdueshëm i vendbanimeve izraelite, veçanërisht projekti i fundit në E1, i cili po depërton në zemër të territorit të një shteti të ardhshëm palestinez dhe u shpall në gusht, është një shqetësim serioz. Prandaj, Andy dhe unë vlerësuam se qeveria britanike nuk mund të qëndronte pasive dhe të mos bënte asgjë. Të njëjtin qëndrim mbajtën edhe disa nga aleatët tanë ndërkombëtarë. Ishte një veprim i koordinuar, i nxitur nga një ndjenjë e thellë urgjence për të ndërmarrë hapa konkretë, duke pasur parasysh situatën që po krijohet në terren.”, - deklaroi sekretari i Jashtëm britanik, Ed Miliband.
Masat britanike janë mbështetur edhe nga Franca, Kanadaja dhe një numër i vendeve të tjera evropiane, të cilat kërkojnë ndalimin e zgjerimit të vendbanimeve izraelite. Izraeli është kundërpërgjigjur menjëherë, duke njoftuar mbylljen e konsullatës britanike në Jeruzalem Lindor dhe masa të tjera ndaj zyrtarëve britanikë.
“Veprimi britanik është moralisht i shtrembëruar dhe përbën ndërhyrje flagrante në çështjet e një shteti sovran dhe në procesin e tij zgjedhor. Në dritën e të gjitha këtyre zhvillimeve, kam vendosur, me miratimin e kryeministrit Netanyahu, kundërmasat e mëposhtme izraelite. Së pari, mbylljen e konsullatës britanike në Jerusalem. Çdo aktivitet i një shteti të huaj brenda tij duhet të kryhet me pëlqimin e shtetit të Izraelit. Çdo aktivitet i huaj në këtë zonë duhet të zhvillohet përmes kanaleve të pranuara dhe të dakordësuara, pa shkelur sovranitetin e Izraelit.”, - theksoi ministri i Jashtëm i Izraelit, Gideon Sa’ar.
Tensionet me izraelitët edhe në Tajlandë, deportime pas rasteve të vandalizmit
Por, tensionet me shtetasit izraelitë nuk janë shfaqur vetëm në Lindjen e Mesme. Shqetësime të ngjashme janë ngritur edhe në Tajlandë, ku autoritetet kanë raportuar incidente dhe akuza për shkelje të ligjit nga shtetasit izraelitë. Ministri i Jashtëm tajlandez, ka takuar ambasadoren izraelite në Bangkok dhe i ka kërkuar që t’u kujtojë shtetasve izraelitë të respektojnë ligjet, kulturën dhe traditat e Tajlandës.
“Turistët nuk mund të vijnë në Tajlandë, të sjellin të ardhura në vend dhe pastaj të mendojnë se mund të bëjnë çfarë të duan. Kushdo që është i huaj dhe shkel ligjin në Tajlandë duhet të përballet me zbatimin e rreptë të ligjit. Tajlanda nuk diskriminon shtetasit izraelitë apo ndonjë të huaj tjetër. Vizitorët duhet ta kuptojnë dhe respektojnë kulturën dhe traditat tajlandeze, ashtu si tajlandezët që udhëtojnë jashtë vendit pritet të respektojnë zakonet dhe vlerat e vendeve që vizitojnë.”, - u shpreh ministri i Jashtëm i Tajlandës, Sihasak Phuangketkeow.
Ditëve të fundit janë raportuar disa incidente që kanë përfshirë shtetas izraelitë në zona turistike të Tajlandës, veçanërisht në Phuket, Koh Phangan, Koh Samui dhe Pai. Autoritetet kanë ngritur shqetësime për konflikte me banorë dhe bizneset lokale, sjellje agresive dhe shqetësim të rendit publik, si dhe për shkelje të rregullave që lidhen me bizneset dhe qëndrimet afatgjata në vend.
FARIJE DAUTI BAKIU
