Maqedoni

Nis realizimi i projektit të madh energjetik, Shtipi me parkun më të madh të erës në rajon

09.09.2026 14:22

Ka nisur zbatimi i fazës së parë të parkut të erës në zonën e Shtipit, Radovishit dhe Karbincit...

Ka nisur zbatimi i fazës së parë të parkut të erës në zonën e Shtipit, Radovishit dhe Karbincit. Projekti i kompanisë “Alcazar Energy” do të zhvillohet në tri faza dhe në përfundim do të ketë kapacitet prej 396 megavatësh me 54 turbina.
 
“Po fillojmë një investim, që kur të zbatohet plotësisht, do të ketë vlerë rreth gjysmë miliardi dollarësh. Por, ajo që më inkurajon më tej është fakti që dëgjova nga investitori se planet e tyre për investime në Maqedoni nuk fillojnë dhe mbarojnë këtu, por përkundrazi, ata kanë plane të tjera.”, - deklaroi kryeministri, Hristijan Mickoski.
 
Faza e parë përfshin 21 turbina me kapacitet prej 131 megavatësh, ndërsa për të janë siguruar 180 milionë euro financim nga BERZh-i, IFC-ja, Erste Bank dhe Sparkasse Bank.
 
“Sot po e përfundojmë financimin e fazës së parë për 131 megavat dhe 21 turbina, me 180 milionë euro investime të siguruara nga BERZh-i, IFC-ja, Erste Bank dhe Sparkasse Bank. Pas përfundimit të plotë, parku i erës duhet të sigurojë energji elektrike për rreth 148 mijë familje, ndërsa gjatë zbatimit pritet të krijohen pothuajse 300 vende pune.”, - theksoi drejtori ekzekutiv i “Alcazar Energy”, Daniel Calderon.
 
Ministrja e Energjisë, Sanja Bozhinovska, tha se investime të tilla janë të rëndësishme për sigurinë e furnizimit dhe forcimin e ekonomisë.
 
“Parku i erës në Shtip ka rëndësi që i tejkalon kufijtë e një projekti dhe të një investimi. Detyra jonë është që kapacitete të tilla t’i lidhim me një qëllim më të gjerë – siguri më të madhe në furnizim, ekonomi më të fortë dhe më pak ekspozim ndaj goditjeve energjetike.”, - u shpreh ministrja e Energjisë, Sanja Bozhinovska. 
 
Nga Banka Botërore e vlerësojnë projektin si pjesë të përpjekjeve për rritjen e prodhimit vendor të energjisë.
 
“Shpresoj që pas disa vitesh të kthehemi këtu dhe të shohim shumë turbina me erë. Por, nuk bëhet fjalë vetëm për turbinat me erë. Bëhet fjalë për rritjen e kapacitetit për prodhimin e energjisë vendore dhe zbatimin e strategjisë energjetike për periudhën e ardhshme.”, - theksoi drejtoresha e Bankës Botërore për Kosovë dhe Maqedoni, Karoll Mezhevan.
 
Qeveria pret që investimi të kontribuojë në rritjen e prodhimit të energjisë nga burimet e rinovueshme dhe në uljen e varësisë nga importi i energjisë.
 
VLORA LATIFI TOPOJANI