Maqedoni
Borxhi në qendër të përplasjes, LSDM: 12 miliardë euro borxh
09.09.2026 14:42
Përplasja mes pushtetit dhe opozitës për borxhin publik dhe gjendjen e ekonomisë vazhdon...

Përplasja mes pushtetit dhe opozitës për borxhin publik dhe gjendjen e ekonomisë vazhdon. LSDM-ja akuzon Qeverinë për keqmenaxhim të financave publike dhe pretendon se borxhi po i afrohet 12 miliardë eurove, ose mbi 65 për qind të PBB-së. Zëdhënësja e LSDM-së, Keti Shterjova, thotë se vetëm në dy vitet e fundit Qeveria e Mickoskit ka marrë rreth 4 miliardë euro borxh të ri.
“Rreth 8 miliardë euro është borxhi total i të gjitha qeverive në 35 vjet të Maqedonisë së pavarur. Mickoski ka marrë gjysmën e këtij borxhi vetëm në dy vjet. Kjo është papërgjegjshmëri ekonomike dhe një akumulim i rrezikshëm i borxhit mbi shpinën e qytetarëve. Borxhi publik po shkon drejt 12 miliardë eurove, ose mbi 65 për qind të PBB-së, ndërsa interesi që shteti paguan çdo vit është rritur nga 120 në rreth 350 milionë euro.”, - deklaroi Keti Shterjova nga LSDM.
VMRO-DPMNE: Borxhi është 58.8% e PBB-së
Shterjova akuzon gjithashtu Qeverinë se borxhi i ri nuk është reflektuar në përmirësimin e standardit të jetesës apo në investime kapitale. Ndërkohë nga VMRO-DPMNE-ja i hedhin poshtë akuzat dhe thonë se LSDM-ja duhet të përgjigjet për borxhet e krijuara gjatë qeverisjes së saj së bashku me BDI-në.
“VMRO-DPMNE-ja mori përgjegjësinë për të udhëhequr Qeverinë në qershor të vitit 2024 me një borxh publik mbi 60 për qind të PBB-së. Sot, borxhi është 58.8 për qind e PBB-së, pra është më i ulët se niveli që trashëguam. Në vitet në vijim do të maturohen rreth 8 miliardë euro borxhe të marra gjatë epokës së LSD-së dhe BDI-së.”, thanë nga VMRO-DPMNE.
Nga partia në pushtet thonë se vetëm gjatë vitit 2026 deri në vitin 2030 do të maturohen miliarda euro borxhe dhe akuzojnë LSDM-në dhe BDI-në se gjatë shtatë viteve të qeverisjes kanë rritur borxhin me rreth 4.5 miliardë euro.
FITIM KRYEZIU
