DMSh: Pesë zjarre aktive në vend, situata nën kontroll

09.09.2026 14:58

Pesë zjarre në hapësira të hapura vazhdojnë të jenë aktive në vend...

Pesë zjarre në hapësira të hapura vazhdojnë të jenë aktive në vend, ndërsa katër të tjera janë vënë nën kontroll, bëjnë të ditur të dhënat më të fundit të autoriteteve. Situata më serioze paraqitet në komunën e Strugës, ku zjarri po përhapet në aksin mes fshatrave Burinec, Lokov, Selcë dhe Elevc, duke përfshirë një sipërfaqe me pyll të ulët.

Zjarri aktiv edhe në komunën e Gostivarit, në fshatin Peçkovë, ku flakët kanë përfshirë vegjetacion dhe bimësi të ulët. Ka edhe një zjarr pranë fshatit Kopanicë në komunën e Sarajit, i cili është vënë nën kontroll, si dhe pranë fshatrave Graçan dhe Nigishtan në komunën e Gjorçe Petrovit, ku po digjet një pyll.

Nga Drejtoria për Mbrojtje dhe Shpëtim thonë se gjendja është nën kontroll dhe nuk ka situata alarmante.

“Në këtë moment nuk kemi zjarre alarmante në hapësirë të hapur. Zjarri është ende aktiv në zonën afër Malit të Zi të Shkupit, ne kemi kontroll të pjesshëm mbi të.  Zjarr aktiv kemi edhe në fshatrat që janë në kufi midis komunës së Strugës dhe Dibrës, ku për dy ditë ekipet profesionale nga Drejtoria për Mbrojtje dhe Shpëtim janë ndihmuar nga anëtarët e shoqatës vullnetare të zjarrfikësve nga Manastiri, vatër aktive ka edhe  në rezervatin Jasen dhe një sipërfaqe më e madhe me bar është kapur në zonën e fshatit Belicë.”, - deklaroi drejtori i Drejtorisë për Mbrojtje dhe Shpëtim, Stojançe Angellov.

Gjatë periudhës nga 1 qershori deri më 31 gusht 2026, në territorin e shtetit janë regjistruar gjithsej 1.696 zjarre në hapësira të hapura. Autoritetet u apelojnë qytetarëve për vëmendje, sepse vetëm një shkëndijë është e mjaftueshme për një fatkeqësi.

Ndalimi i lëvizjes në pyje, i cili synon të parandalojë sjelljet e rrezikshme në zonat pyjore,  është ende në fuqi deri në fund të këtij muaji. (Abibe Qaili, TVM2)