Kuvendi i Kosovës, Albulena Haxhiu rizgjidhet kryetare e Kuvendit

09.09.2026 15:12

Me 62 vota për, 16 kundër dhe 13 abstenime, Albulena Haxhiu...

Me 62 vota për, 16 kundër dhe 13 abstenime, Albulena Haxhiu është rizgjidhur kryetare e Kuvendit të Kosovës. Haxhiu do të vazhdojë të jetë edhe ushtruese e detyrës së presidentes deri në zgjedhjen e presidentit të ri të shtetit.

"Falënderoj të gjithë juve për besimin e dhënë.", - theksoi kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Albulena Haxhiu.

Kurti: Pa zgjedhjen e presidentit, Kosova do të shkojë në zgjedhje

Paraprakisht kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, tha se konstituimi i Kuvendit dhe formimi i Qeverisë nuk janë të mjaftueshme për t’i shmangur zgjedhjet e reja, pasi duhet të zgjidhet edhe presidenti i Kosovës.

“Konstituimi i Kuvendit edhe formimi i Qeverisë nuk i eviton zgjedhjet e reja, nëse nuk e zgjedhim edhe Presidentin. E për ta zgjedhur Presidentin ose Presidenten, neve na duhet që t’i kemi dy të tretat, kuorumi që të jetë i pranishëm në Kuvend. Tash Kuvendi i konstituuar kur të bëhet legjislatura në dhjetë, por marrëveshja politike duket që s’ka qenë e mjaftueshme, andaj ne e kemi të domosdoshme që t’i kemi aty të gjithë deputetët e marrëveshjes për kandidatin tonë të përbashkët, profesor Bekim Sejdiun, ose të kemi edhe deputetë shtesë.”, - deklaroi kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti.

Hamza: Me rëndësi që 16 shtatori të na gjejë me institucione

Nga ana tjetër, kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Bedri Hamza, para seancës konstituive tha se për partinë e tij është me rëndësi që 16 shtatori, kur pritet shpallja e vendimit gjyqësor në Hagë, ta gjejë Kosovën me institucione të konsoliduara.

“Ne si Parti Demokratike kemi konkluduar se Kuvendi është dashur të konstituohet brenda afatit kushtetues. Sidoqoftë, Kosova duhet të ketë kuvend të konstituuar. Unë dua të besoj, duhet të besoj që nuk ka kalkulime të mëtejshme politike, që Kosova të vazhdojë të mbetet pa Kuvend dhe për neve si Partia Demokratike e Kosovës është tepër e rëndësishme data 16 shtator. Ne presim vendim lirues për udhëheqësit e UÇK-së dhe çlirimtarët e Kosovës.”, - u shpreh kryetari i PDK-së, Bedri Hamza.

Por, deputetët opozitarë nuk e kanë përjashtuar mundësinë që t’i drejtohen Gjykatës Kushtetuese lidhur me pretendimet e tyre se janë tejkaluar afatet kushtetuese për konstituimin e Kuvendit. (Gyltene Sinani, TVM2)