Maqedoni
Deklarata për “llumin” nxit reagime, Zhernovski: Mickoski e përçan shoqërinë
09.09.2026 15:32
Deklarata e Mickoskit në shënimin e ditës së pavarisësisë ka nxitur reagime të ndryshme në skenën politike...

Deklarata e kryeministrit Hristijan Mickoski në shënimin e ditës së pavarisësisë ka nxitur reagime të ndryshme në skenën politike. LSDM-ja e akuzon kryeministrin për retorikë përçarëse dhe nxitje të ndarjeve mes qytetarëve. Nga LSDM-ja theksojnë se Mickoski, në vend të mesazheve për bashkim në Ditën e Pavarësisë, përsëri përdori termin “llum”. Sipas tij, kjo retorikë shërben për të mbuluar mungesën e rezultateve të Qeverisë.
“Kur rezultatet në çdo fushë janë llum dhe kur i gjithë mandati i kryeministrit është fjalë për fjalë llum, atëherë e vetmja gjë që të mbetet të flasësh është për llum dhe mbetje.”, - deklaroi Andrej Zhernovski nga LSDM.
Mickoski: LSDM-ja e gjeti veten te “llumi”
Mickoski më pas iu përgjigj reagimeve të opozitës, duke thënë se LSDM-ja vetë është identifikuar me termin që ai përdori. Kryeministri theksoi se ai nuk e kishte përmendur drejtpërdrejt partinë opozitare dhe se fokusi i pushtetit duhet të jetë te puna dhe rezultatet.
“Më vjen keq që LSDM-ja e gjen veten te llumi, por unë thashë shumë saktë se llumi nuk guxon ta mposhtë elitën. Ne do të vazhdojmë të japim rezultate, ndërsa ata le të zhyten në kënetën e tyre politike.”, - theksoi kryeministri, Hristijan Mickoski.
VMRO-DPMNE: “Llumi” në LSDM duhet të mundet
Në të njëjtën linjë me kryeministrin është edhe VMRO-DPMNE-ja. Nga partia akuzojnë LSDM-në se është kundër projekteve dhe investimeve të Qeverisë dhe se, siç thonë, përmes gjuhës së urrejtjes dhe ndarjeve synon ta tërheqë shoqërinë prapa.
“Llumi në LSDM është fabrikë për përhapjen e nihilizmit, urrejtjes dhe ndarjeve të ashpra. Ata janë kundër gjithçkaje që është progresive në vend. Ky llum duhet dhe do të mposhtet.”, thuhet në komunikatën e VMRO-DPMNE-së.
Deklarata e kryeministrit, e bërë gjatë shënimit të Ditës së Pavarësisë, kështu u shndërrua në temë të një përplasjeje të re politike, me pushtetin dhe opozitën që akuzojnë njëra-tjetrën për retorikë përçarëse dhe mungesë rezultatesh.
NERMIN MULAKI FEJZULLAHU
