Dhuna mes të rinjve në Tetovë, Toshkovski paralajmëron masa të rrepta

09.09.2026 15:33

Përleshje mes të rinjve në rrugët e Tetovës...

Përleshje mes të rinjve në rrugët e Tetovës gjatë dy ditëve të fundit kanë ngritur shqetësimin për përshkallëzimin e dhunës, veçanërisht mes të rinjve me përkatësi të ndryshme etnike.

Ministri i Punëve të Brendshme, Pançe Toshkovski, gjatë vizitës së sotme në SPB-Tetovë, paralajmëroi masa të rrepta ndaj çdo akti dhune, qoftë nga tifo-grupet apo individë të tjerë.

Ai kërkoi veprim jo vetëm represiv, por edhe preventiv, duke bërë thirrje që institucionet të bashkërendojnë veprimet për të parandaluar përshkallëzimin e situatës.

“Do të veprojmë edhe në mënyrë preventive, jo vetëm represive. Edhe institucionet tjera duhet ta japin përgjigjen e tyre, Prokuroria të futet në procese, ndërsa gjykata me dënime të duhura t’i ndëshkojë dhunuesit, nga cila do anë të vijnë. Duhet të veprojmë me kthjelltësi dhe maturi kur janë në pyetje adoleshentët. Për këtë temë do të flas edhe me Ministrin e Politikës Sociale dhe në kuadër të Qeverisë.”, - deklaroi ministri i Punëve të Brendshme, Pançe Toshkovski.

Murtezani: Të rinjtë duhet të njihen mes vete

Por, përtej reagimit institucional, psikologët vlerësojnë se parandalimi i dhunës duhet të nisë shumë më herët – në shkolla. Psikologu Lulzim Murtezani thotë se distanca mes të rinjve të përkatësive të ndryshme etnike, mungesa e njohjes dhe paragjykimet e trashëguara nga e kaluara krijojnë terren për konflikte.

“Në këtë drejtim mund të rekomandoj që nëpër shkolla të krijohen ambiente që nuk mjaftojnë vetëm të kontaktojnë nxënësit me prejardhje të ndryshme etnike, por të krijohen rrethana që të njihen mes vete, të bashkëpunojnë mes vete.”, - theksoi psikologu, Lulzim Murtezani.

Ndërsa institucionet bëjnë thirrje për parandalim dhe reagim më të ashpër ndaj dhunës, në terren situata mbetet e heshtur. Përleshjet mes të rinjve janë evidentuar gjatë 48 orëve të fundit në rrugët e Tetovës, por deri tani nuk është raportuar asnjë rast në SPB-Tetovë.

Kjo ngre pikëpyetjen nëse heshtja e të rinjve dhe familjeve po e vështirëson identifikimin dhe parandalimin e rasteve të tilla. (Visar Sadiku, TVM2)