PISA: Nxënësit lexojnë, por nuk kuptojnë, Janevska fajëson reformat e mëparshme

09.09.2026 16:08

Rezultatet e testimit PISA janë shumë të dobëta...

Rezultatet e testimit PISA janë shumë të dobëta, pranon ministrja e Arsimit dhe Shkencës, Vesna Janevska. Megjithatë, ajo thekson se bëhet fjalë për rezultate nga një testim i zhvilluar vetëm gjashtë muaj para ardhjes në pushtet të VMRO-DPMNE-së. Sipas Janevskës, rezultatet e reformës së re në arsim do të mund të ndihen pas nëntë deri në dhjetë vjetësh. Ajo shton se rezultatet më të mira të nxënësve maqedonas në testimin PISA janë regjistruar në vitin 2018.

“Këto janë rezultate të reformave që u bënë më parë. Rezultatet e kësaj reforme që bëhet aktualisht do t’i shohim atëherë kur këta nxënës t’i mbushin 15 vjeç, që do të thotë diku pas 9 deri në 10 vitesh. Për fat të keq, nuk bëhet fjalë vetëm për programet. Do të duhet t’i kushtojmë shumë më tepër vëmendje edhe elementeve të tjera që e kanë shkatërruar sistemin arsimor.”, - deklaroi ministrja e Arsimit, Vesna Janevska.

Rezultatet janë shqetësuese – nxënësit e Maqedonisë së Veriut lexojnë, por nuk e kuptojnë atë që lexojnë. Raporti tregoi se vetëm një e treta e 15-vjeçarëve në vend kanë njohuri bazë në matematikë, lexim dhe shkencë.

Nxënësit nga Maqedonia e Veriut kanë arritur rezultate më të ulëta se mesatarja e vendeve të OECD-së. Rezultatet janë edhe më të dobëta krahasuar me vitin 2022. Shumica e nxënësve në vend përballen me mangësi serioze në aftësitë bazë.

Vetëm 1 për qind kanë arritur rezultatet më të larta në matematikë, ndërsa në shkencë asnjë nxënës nuk ka arritur nivelin më të lartë. Vetëm 36 për qind kanë zotëruar konceptet bazë.

Rezultatet e testimit të fundit ndërkombëtar PISA tregojnë rënie të performancës së nxënësve në lexim dhe matematikë në nivel global. (Farije Dauti – Bakiu, TVM2)