Rasti “Lotaria Shtetërore”, Përparim Bajrami në paraburgim, u vetëdorëzua

09.09.2026 16:32

Ish-drejtori i “Lotarisë Shtetërore”, Përparim Bajrami...

Ish-drejtori i “Lotarisë Shtetërore”, Përparim Bajrami, i kërkuar me urdhër-arrest ndërkombëtar, është vetëdorëzuar mëngjesin e sotëm në pikën kufitare Bllacë, pas disa muajsh në arrati. Nga MPB-ja konfirmuan se Bajrami është arrestuar dhe është dërguar në Burgun e Shkupit.

“Sot në ora 05:35, në pikën kufitare Bllacë, gjatë hyrjes në vendin tonë, është paraqitur Përparim Bajrami, i kërkuar me urdhër-arrest ndërkombëtar në bazë të urdhrit të Prokurorisë Themelore Publike Shkup. Personi është privuar nga liria dhe është dërguar në Burgun e Shkupit.”, - deklaroi Goce Andreevski nga MPB.

Bajrami është një nga të pandehurit në rastin “Lotaria Shtetërore”, ku akuzohen edhe ish-zëvendëskryeministri i parë Artan Grubi dhe gjashtë persona të tjerë. Prokuroria konfirmoi se ndaj tij është në fuqi masa e paraburgimit, ndërsa gjykimi për rastin vazhdon.

“Procedura gjyqësore në të cilën ai akuzohet për vepër penale - Keqpërdorim i pozitës dhe autoritetit zyrtar sipas nenit 353 të Kodit Penal është në vazhdim. Përveç kësaj, kundër tij po zhvillohen edhe katër procedura të tjera në Prokurorinë Themelore Publike Shkup për të njëjtën vepër penale, në të cilën po mblidhen prova dhe po kryhen ekspertiza.”, - thuhet në komunikatën e Prokurorisë Publike.

Dorëzimin e Bajramit, LSDM-ja e cilësoi si të orkestruar dhe ngriti dyshime për marrëveshje politike.

“Ne nuk besojmë se ky dorëzim është i rastësishëm. Dyshojmë se ka marrëveshje, por kohës i mbetet të dëshmojë se cila ka qenë arsyeja e dorëzimit dhe cili ka qenë skenari.”, - theksoi Andrei Zhernovski nga LSDM.

Bajramin do ta përfaqësojë avokati Elenko Millanov, i cili tha se fillimisht duhet ta takojë klientin dhe të dakordohen për hapat e mëtejshëm.

“Së pari dua ta shoh dhe të dakordohemi për hapat e mëtejshëm. Ndaj tij është caktuar masa e paraburgimit, ndërsa të gjitha dëshmitë që i kemi duhet t’i diskutoj me të.”, - u shpreh avokati i Përparim Bajramit, Elenko Millanov.

Përparim Bajrami ndodhet në paraburgim në Burgun e Shkupit. Seanca e radhës për rastin “Lotaria Shtetërore” është shtyrë për javën e ardhshme. (Fitim Kryeziu, TVM2)