Maqedoni

Miratohen ndryshimet në Ligjin për Azil, Çavkov: në vijën kufitare ka rreth 25000 emigrantë

18.06.2015 17:52

Emigrantët ilegal që depërtojnë në Maqedoni do të kenë trajtim më human. Kuvendi, me procedurë të shkurtuar, miratoi projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Azil...

Fluksi i emigrantëve nga vendet e krizës është trefishuar në Maqedoni. Me ligjin e ri, para së gjithash, pretendohet të rritet siguria e emigrantëve në qarkullim, të cilët kryesisht transitojnë nëpër Maqedoni në rrugën drejt vendeve të BE-së. 
 
“Presim tre përfitime të rëndësishme nga këto ndryshime ligjore. Më shumë siguri dhe uljen e rreziqeve mbi emigrantët, të cilët me deklarimin e qëllimit për azil do të marrin dokument, me të cilin do të mund të qarkullojnë lirshëm, përkatësisht nuk do të duhet t’i rrezikojnë jetët nëpër binarë dhe rrugë; e dyta: shpresojmë se do të ulet shkalla e kriminalitetit, pasi do të mund të lëvizin lirshëm pa nevojë që të vënë kontakte me grupe të dyshimta, të cilët më vonë mund ta keqpërdorin pozitën e tyre; dhe e treta: ne si polici do të kemi evidencë të duhur për personat që hyjnë në territorin tonë”- deklaroi ministri i Punëve të Brendshme, Mitko Çavkov.
 
Sipas Çavkov, MPB në këto pesë muaj ka zbuluar tre herë më shumë emigrantë krahasuar me një vit më parë. Nga një janari deri më tre qershor të këtij viti, në Qendrën për Pranim janë pranuar 1003 emigrantë, 791 meshkuj dhe 212 gra. Sipas Çavkov, në vijën kufitare mes Greqisë dhe Maqedonisë ka rreth 25000 emigrantë.    
 
“Shërbimet tona kufitare, javëve të fundit, si masë parandaluese nuk u lejojnë hyrje në vendin tonë dy deri në tre mijë emigrantëve ilegalë në ditë, të cilët përpiqen ta kalojnë kufirin jugor jashtë pikave kufitare, me Republikën e Greqisë. Vetëm javëve të fundit, gjatë kontrolleve të përforcuara, janë parë, në afërsi të vendit tonë, mbi 25.000 persona, të cilëve u është thënë që të kthehen, përkatësisht të mbeten në territorin grek, prej ku përpiqen të hyjnë në vendin tonë”- tha ministri i Punëve të Brendshme, Mitko Çavkov.
 
Sipas MPB-së, edhe pse azilkërkuesit kryesisht tranzitojnë nëpër Maqedoni, sërish rritet numri i azilkërkuesve. Për katër muajt e parë të këtij viti janë shqyrtuar mbi 500 kërkesa. 
 
Ndryshe, gjatë këtij viti, dhjetëra emigrantë nga Siria dhe Afganistani e humbën jetën në aksidente trafiku, nëpër hekurudhat e Maqedonisë.
 
Ndërkaq, emigrantët që janë pranuar në Qendrën për të Huaj në Gazi Babë, ankohen nga mbipopullimi i objektit dhe kushtet substandarte.
 
Gjendjen e keqe në këto qendra, përveç emigrantëve, e kanë konstatuar edhe Avokati i Popullit, shoqatat humanitare dhe mediat. 
 
SHPËTIM NUREDINI