Maqedoni
Raporti i IShP-së për Ethet e Nilit, javën e kaluar dy të vdekur dhe dy raste të reja
10.09.2026 11:20
Javën e kaluar prej 2 deri më 8 shtator në vend, janë raportuar dy raste të reja me Ethet e Nilit Perëndimor...

Javën e kaluar prej 2 deri më 8 shtator në vend, janë raportuar dy raste të reja me Ethet e Nilit Perëndimor, edhe atë një nga Shkupi dhe një nga Shën Nikolla. Po ashtu brenda kësaj periudhe janë regjistruar edhe dy raste të reja që kanë përfunduar me fatalitet.
Siç bëjnë të ditur nga Instituti i Shëndetit Publik dy personat që kanë ndërruar jetë janë nga Shkupi dhe janë të gjinisë mashkullore. Deri më 8 shtator, janë regjistruar gjithsej 58 raste me Ethet e Nilit Perëndimor, prej të cilave 54 janë konfirmuar, ndërsa katër konsiderohen raste të mundshme. Deri tani kanë humbur jetën gjithsej tetë persona.
Mosha mesatare e të vdekurve është 71.9 vjeç. Të gjithë ishin të hospitalizuar, ndërsa shtatë prej tyre kishin edhe sëmundje shoqëruese. Nga gjithsej 58 personat e prekur, 46 janë meshkuj dhe 12 janë femra. Nga 58 të prekurit, 55 raste janë nga Shkupi, ndërsa nga një rast është regjistruar në Veles, Kumanovë dhe Shën Nikollë. Aktualisht, pesë persona vazhdojnë të marrin trajtim në spital.
