Ekonomi
Konferenca Rajonale Ohër 2026, në fokus, pasiguri dhe presion financiar në rajon
10.09.2026 13:30
Rreziqet gjeopolitike, çmimet e energjisë, pasiguria në tregjet globale dhe kushtet më të shtrenjta të financimit e shtojnë presionin mbi ekonomitë e Ballkanit Perëndimor....

Rreziqet gjeopolitike, çmimet e energjisë, pasiguria në tregjet globale dhe kushtet më të shtrenjta të financimit e shtojnë presionin mbi ekonomitë e Ballkanit Perëndimor. Pikërisht këto çështje janë në fokus të Konferencës Rajonale Ohri 2026, ku përfaqësues të institucioneve, ekspertë, akademikë dhe përfaqësues të sektorit privat diskutojnë mbi ndikimin e zhvillimeve në eurozonë mbi politikat fiskale dhe ekonomitë e Ballkanit Perëndimor. Sipas pjesëmarrësve në konferencë, vendet e rajonit, edhe pse jashtë eurozonës dhe BE-së, mbeten të ekspozuara ndaj zhvillimeve ekonomike në Evropë. Në këtë situatë, qëndrueshmëria e financave publike, ruajtja e hapësirës për investime dhe përgatitja për integrimin evropian dalin në pah si sfida të përbashkëta.
"Vendet e Ballkanit Perëndimor që janë ende jashtë Bashkimit Evropian nuk marrin pjesë drejtpërdrejt në hartimin e politikave në eurozonë, por ekonomitë e tyre i ndiejnë fuqishëm efektet e zhvillimeve ekonomike dhe vendimeve të marra në Evropë. Kjo është arsyeja pse nevojitet një dialog më serioz rajonal se si të ndërtohen financa publike më elastike, të ruhet hapësira për zhvillim ekonomik dhe të përgatitet më mirë për integrimin e mëtejshëm evropian.", - deklaroi kryetari i Forumit Ekonomik Ballkanik, Sasho Kosev.
Krahas nevojës për një qasje të përbashkët rajonale, në qendër të diskutimit mbetet edhe mënyra se si shtetet mund t’i përballojnë goditjet e jashtme pa frenuar rritjen ekonomike. Për Maqedoninë e Veriut, kjo nënkupton financa publike më të qëndrueshme, por edhe politika që krijojnë hapësirë për investime dhe zhvillim afatgjatë.
"Përgjegjësia jonë është të ndërtojmë financa publike që do të jenë mjaftueshëm të qëndrueshme për të përthithur goditjet, por mjaftueshëm fleksibile për të mbështetur rritjen. Të krijojmë ekonomi që jo vetëm do të reagojnë ndaj krizave që vijnë nga jashtë, por do të kenë kapacitetin e tyre për rritje dhe të përdorim procesin e integrimit evropian jo vetëm për përafrimin me rregullat evropiane, por për konvergjencë reale drejt standardeve ekonomike evropiane - përmes produktivitetit më të lartë, më shumë investimeve, institucioneve më të forta dhe një standardi më të lartë jetese për qytetarët tanë.", - deklaroi ministrja e Financave, Gordana Dimitrieska Kocoska.
Por, përtej përballimit të krizave dhe forcimit të ekonomive, një tjetër pyetje mbetet e lidhur ngushtë me perspektivën e vendeve të rajonit, rruga drejt Bashkimit Evropian dhe, në një fazë të mëvonshme, drejt monedhës së përbashkët. Përvoja e vendeve që tashmë e kanë kaluar këtë proces tregon se debati për euron lidhet drejtpërdrejt me përmbushjen e kritereve dhe detyrimeve të anëtarësimit.
"Në agjendën politike, gjithmonë ka dikush që thotë, e dini, duhet të bëjmë referendum ose duhet t'i pyesim publikut të gjerë, a jemi pro apo kundër euros? Dua vetëm t'ua kujtoj të gjithëve, përveç Danimarkës, të gjitha vendeve në Bashkimin Evropian, përfshirë Kroacinë, se kur nënshkruat traktatin e anëtarësimit në BE, ju tashmë nënshkruat futjen e euros. Por, kur do të ndodhë kjo, kur do t'i përmbushni kriteret.", - theksoi ish-ministri i Financave të Kroacisë, Zdravko Mariq.
Konferenca synon që përmes dialogut rajonal të identifikohen përgjigje të përbashkëta ndaj sfidave fiskale dhe ekonomike, duke lidhur zhvillimet në Evropë me nevojat konkrete të ekonomive të rajonit.
FARIJE DAUTI BAKIU
