Botë

Lufta në Ukrainë vazhdon, sulme të reja, diplomacia në kërkim të paqes

10.09.2026 14:11

Lufta në Ukrainë nuk ndalet....

Lufta në Ukrainë nuk ndalet. Ndërsa Uashingtoni flet për paqe dhe marrëveshje, forcat ruse vazhdojnë me sulme të ashpra – sërish në shënjestër është Kievi, shpërthime janë dëgjuar në Harkiv dhe në rajone të tjera ukrainase, ndërsa është goditur edhe një qendër tregtare në Sumy.
 
“Kemi pasur tre sulme në Harkiv. I pari ndodhi pranë një shkolle. Për fat të keq, ka të plagosur. Janë dëmtuar shtatë ndërtesa shumëkatëshe banimi, si dhe rrjeti i ndriçimit rrugor të qytetit.”, - deklaroi kryetari i Bashkisë së Harkivit, Igor Terehov.
 
“Një dron armik “Shahed” goditi një nga qendrat tregtare të qytetit në Sumy. Ka të vrarë dhe të plagosur.”, - theksoi kryetari i Bashkisë së Sumy-t, Artjom Kobzar.
 
Dronët rusë arritën edhe në kufirin me Moldavinë. Është goditur pika ndërkombëtare kufitare Starokozache, në rajonin e Odesës.
 
“Ky është praktikisht kalimi i pestë kufitar që është sulmuar nga Rusia gjatë periudhës së fundit. Katër prej tyre ndodhen në kufirin me Moldavinë, ndërsa një në kufirin me Rumaninë. Për fat të keq, në sulmin ndaj Starokozaches humbën jetën dy persona, ndërsa tre u plagosën.”, - u shpreh zëdhënësi i Shërbimit Kufitar të Ukrainës, Andrij Demçenko.
 
Kievi kundërpërgjigjet. Ukraina pretendon se gjatë 24 orëve të fundit ka goditur tetë objekte infrastrukturore ruse që mbështesin makinerinë ushtarake – mes tyre një rafineri nafte dhe një port detar, si dhe objektiva në disa rajone ruse.
 
“Rusia vazhdon terrorin e saj të përditshëm ndaj Ukrainës. Dhe çdo ditë merr një përgjigje të drejtë. Falënderoj çdo luftëtar dhe të gjithë ata që mundësojnë kapacitetet tona për veprime me rreze të gjatë dhe saktësinë tonë.”, - deklaroi presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky.
 
Ndërsa luftimet intensifikohen, përpjekjet diplomatike vazhdojnë. Pas bisedës telefonike me Putinin, Trump-i vlerësoi se Moska dëshiron të arrijë një marrëveshje për përfundimin e luftës.
 
“Patëm një bisedë të shkëlqyer me Putinin. Ai dëshiron të arrijë një marrëveshje. Dhe nëse edhe Zelensky e dëshiron këtë, do të ishte shumë mirë. Problemi janë dy njerëz që e urrejnë njëri-tjetrin. Mendoj se, para së gjithash, bëhet fjalë për dy njerëz që e urrejnë njëri-tjetrin. Unë flas me njerëzit – kjo është gjithçka që bëj gjatë gjithë jetës. Di të bëj marrëveshje, ndërsa këta janë dy njerëz të lodhur nga lufta.”, - deklaroi presidenti i ShBA-së, Donald Trump.
 
Ndërkohë, Zelensky mbërriti në Kalgari për bisedime me kryeministrin kanadez Mark Karni lidhur me mbrojtjen ajrore të Ukrainës, mbrojtjen e hapësirës ajrore dhe përgatitjet për dimrin. Ndërsa diplomatët flasin për një marrëveshje të mundshme, në terren armët ende flasin më fort, ndërsa armëpushimi, për momentin, mbetet vetëm në tryezën diplomatike.
 
FLORIJE KAMBERI