Botë

Samiti ndërkombëtar i hapësirës në Paris, Makron: Hapësira nuk është më e paprekshme

10.09.2026 15:18

Rreziku në rritje në hapësirë ka nxitur thirrje për më shumë siguri dhe bashkëpunim ndërkombëtar....

Rreziku në rritje në hapësirë ka nxitur thirrje për më shumë siguri dhe bashkëpunim ndërkombëtar. “Hapësira nuk është më e paprekshme!”, deklaroi presidenti francez Emanuel Makron në Samitin Ndërkombëtar të Hapësirës në Paris, duke kërkuar qeverisje të përbashkët dhe forcimin e kapaciteteve evropiane.
 
“Hapësira është kudo dhe ky samit përcjell një mesazh force dhe dialogu. Realiteti na detyron të pranojmë se hapësira nuk është më një strehë e sigurt. Qeverisja e përbashkët, me përfshirjen e të gjithë aktorëve kryesorë, është thelbësore për t’u përballur me këto sfida. Ky është qëllimi i këtij samiti.”, - deklaroi presidenti i Francës, Emanuel Makron.
 
Në këtë drejtim, Evropa synon të forcojë kapacitetet e saj hapësinore dhe të garantojë më shumë pavarësi në këtë sektor. Në Paris, ku janë mbledhur delegacione nga më shumë se 120 vende, fokusi është edhe te mbrojtja e infrastrukturës satelitore dhe zhvillimi i sistemeve të reja për komunikime të sigurta.
 
“Siguria jonë në Tokë varet gjithnjë e më shumë nga siguria jonë në hapësirë. Për këtë arsye po ndërtojmë IRIS², një konstelacion me shumë orbita për komunikime të sigurta. Sistemi do të zgjerohet në më shumë se 350 satelitë, duke ofruar kapacitete shtesë për mbrojtjen, sigurinë dhe shërbimet emergjente. Satelitët e parë pritet të lëshohen duke filluar nga viti 2029.”, - theksoi presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen. 
 
Në të njëjtën linjë me këtë ambicie evropiane, Bullgaria po zgjeron bashkëpunimin e saj në teknologjitë hapësinore. Në Paris, në prani të Makronit dhe kryeministrit bullgar Rumen Radev, kompania bullgare “EnduroSat” nënshkroi marrëveshje me kompaninë franceze “Arianespace” për përdorimin e shërbimeve të saj të lëshimit nga viti 2029.
 
“Nuk është rastësi që kjo marrëveshje po nënshkruhet në prani të presidentit francez Makron dhe në prezencën time. Ajo i hap derën Bullgarisë për të zënë vendin që i takon në ekosistemin evropian të hapësirës.”, - u shpreh kryeministri i Bullgarisë, Rumen Radev.
 
Marrëveshja parashikon që satelitët e “EnduroSat” të lëshohen me raketat “Ariane 6”. Kompania bullgare ka njoftuar gjithashtu ndërtimin e një qendre të re për zhvillimin e teknologjive hapësinore pranë Sofjes. Samiti dyditor në Paris zhvillohet në një kohë kur hapësira po merr gjithnjë e më shumë rëndësi strategjike. Evropa synon të mbrojë asetet e saj hapësinore dhe të sigurojë qasje të pavarur në hapësirë, përballë kërcënimeve dhe një gare gjithnjë e më të madhe globale.
 
FARIJE DAUTI BAKIU