Maqedoni

Klekovski dhe Ali prezantuan listën e barnave esenciale

10.09.2026 15:29

Ministri i Shëndetësisë, Sasho Klekovski, shefi i zyrës së OBSh-së në vend, Akim Ali, prezantuan Listën e Barnave Esenciale....

Ministri i Shëndetësisë, Sasho Klekovski, shefi i zyrës së OBSh-së në vend, Akim Ali, prezantuan Listën e Barnave Esenciale. Me këtë rast u theksua se pas më shumë se një dekade, vendi ka një listë të përditësuar dhe zyrtarisht të publikuar të barnave esenciale, e bazuar në parime bashkëkohore profesionale dhe të shëndetit publik. 
 
“Rishikimi profesional i kësaj liste u realizua në kuadër të një procesi shumë participues nëpërmjet Platformës Kombëtare për Barnat, me pjesëmarrjen e institucioneve përkatëse kombëtare dhe palëve të interesuara. Kjo platformë teknikisht u mbështet edhe nga OBSh-ja.”, - deklaroi ministri i Shëndetësisë, Sasho Klekovski.
 
“Shpallja zyrtare e listës në Gazetën Zyrtare do të thotë se ne ndodhemi në një fazë kur mund të mundësojmë sistem modern dhe rezistues shëndetësor. Lista e Barnave esenciale është një instrument i politikave shëndetësore. Prioritetet e shëndetësisë publike dhe nevojat e popullsisë duhet plotësuar në një mënyrë moderne dhe efikase.”, - theksoi shefi i zyrës së OBSh-së në RMV, Akim Ali.
 
Me përditësimin e kësaj liste mundësohet ndjekja e zhvillimeve dhe rekomandimeve bashkëkohore në farmakoterapi, një fokus më i madh te barnat me rëndësi prioritare për shëndetin publik, mbështetja e vendimmarrjes klinike dhe trajtimit të standardizuar, si dhe planifikimi dhe menaxhimi më i mirë i barnave, theksoi ministri Klekovski. Lista e re është e sistemuar në 28 fusha terapeutike dhe përmban në mënyrë më të detajuar nëngrupet, format farmaceutike të dozimit, fuqitë dhe mënyrat e përdorimit. Në të janë përfshirë opsione moderne terapeutike në disa fusha, ndër të cilat sëmundjet infektive, HIV-i, hepatitet virale, onkologjia, neurologjia, kardiologjia, shëndeti riprodhues dhe ai perinatal. Nga lista e vitit 2015 janë hequr barnat që nuk konsiderohen më prioritare në konceptin e ri terapeutik, ndërsa për disa barna është bërë ndryshimi i substancës aktive, formulimit ose është parashikuar një alternativë e përshtatshme terapeutike.
 
ABIBE QAILI