Maqedoni

Qeveria: Manifestimi i pavarësisë u financua me sponsorim

10.09.2026 15:38

Manifestimi për 35-vjetorin e pavarësisë ka kushtuar rreth 5.530.000 euro, ose 340 milionë denarë, kanë bërë të ditur nga Qeveria....

Manifestimi për 35-vjetorin e pavarësisë ka kushtuar rreth 5.530.000 euro, ose 340 milionë denarë, kanë bërë të ditur nga Qeveria. Por, këto mjete janë nga dividenta e "Lotarisë" nga viti 2024 edhe atë 300 milionë denarë, dhe rreth 40 milionë denarë janë donacione nga "kompani me përgjegjësi shoqërore".
 
“Bëhet fjalë për mjete nga mosshpërndarja e fitimit të kompanisë, e cila ishte e paraparë për vitin 2024, dhe jo mjete të cilat janë marrë nga buxheti i shtetit. Po ashtu me vendim të Qeverisë, i është thënë ndërmarrjes “Lotaria Shtetërore”, të sigurojë mjete nga mosshpërndarja e fitimit nga viti 2024, në shumën prej 300 milionë denarë, për ta sponsorizuar këtë event.”, - deklaroi zëdhënësja e Qeverisë, Marija Miteva.
 
LSDM: U keqpërdorën paratë e lotarisë
 
Por, nga opozita, LSDM-ja opozitare vazhdon të këmbëngulë se bëhet fjalë për keqmenaxhim të mjeteve të qytetarëve, sepse, sipas liderit të opozitës, edhe paratë e Lotarisë janë para të qytetarëve.
 
“Çdo ditë po del në pah nga një gënjeshtër nga ana e kryeministrit Mickoski. Ajo që ndodhi manifestimin e shënimit të përvjetorit të pavarësisë së vendit, është edhe një keqpërdorim i mjeteve publike. Doli në pah vendimi i Qeverisë, që kërkon nga ndërmarrja “Lotaria Shtetërore”, e cila është në pronësi të plotë të shtetit, dhe mjetet e kësaj ndërmarrje janë të qytetarëve, në shumë prej 5 milion euro ta financojë këtë manifestim.”, - theksoi lideri i LSDM-së, Venko Filipçe.
 
Sipas opozitës, është shkelur edhe ligji për sponsorizim, kur ndërmarrja “Lotaria Shtetërore”, ka realizuar shpallje publike, dhe jo procedurë të tenderimit. Nga opozita kërkuan edhe sqarim nga kjo ndërmarrje, se pse këto mjete nuk u ndanë për një qëllim tjetër, si për bujqit, për kushtet e shkollave, për barna, për pensionet, për derivatet e naftës etj. 
 
FITIM KRYEZIU