Maqedoni
Cana: 6 të hospitalizuar me Ethet e Nilit
10.09.2026 15:52
Javën e kaluar prej 2 deri më 8 shtator në vend, janë raportuar dy raste të reja me Ethet e Nilit Perëndimor...

Javën e kaluar prej 2 deri më 8 shtator në vend, janë raportuar dy raste të reja me Ethet e Nilit Perëndimor, edhe atë një nga Shkupi dhe një nga Shën Nikolla. Po ashtu brenda kësaj periudhe janë regjistruar edhe dy raste të reja që kanë përfunduar me fatalitet. Siç bëjnë të ditur nga Instituti i Shëndetit Publik dy personat që kanë ndërruar jetë janë nga Shkupi dhe janë të gjinisë mashkullore.
Deri më 8 shtator janë regjistruar gjithsej 58 raste me Ethet e Nilit Perëndimor, prej të cilave 54 janë konfirmuar, ndërsa katër konsiderohen raste të mundshme. Deri tani kanë humbur jetën gjithsej tetë persona. Aktualisht në klinikën infektive janë të hospitalizuar gjashtë pacientë, bën të ditur drejtori i Klinikës Infektive, Fadil Cana.
“Në Klinikën për Sëmundje Infektive ka të hospitalizuar 6 pacientë me formë neuroinvazive të virusit të Nilit Perëndimor, nga të cilët 2 janë në gjendje më të rëndë shëndetësore dhe gjenden në repartin për trajtim intensiv. Ndërsa, 4 pacientë janë në repartin për neuroinfeksione, nga të cilët 2 llogariten si raste të dyshimta, të cilët ende në mënyrë laboratorike nuk janë të vërtetuar, por pasqyra klinike e tyre është në drejtim të infeksionit me virusin e Nilit Perëndimor.”, u shpreh drejtori i Klinikës Infektive, Fadil Cana
