Maqedoni
Vazhdohet paraburgimi për pronarin e “Puls”
11.09.2026 09:57
Paraburgimi për të akuzuarin e parë në rastin “Puls” është vazhduar deri më 3 tetor të këtij viti...

Paraburgimi për të akuzuarin e parë në rastin “Puls”, Dejan Jovanov, është vazhduar deri më 3 tetor të këtij viti, njoftoi Gjykata Themelore Penale Shkup.
Vendimi është marrë nga Këshilli Penal, me arsyetimin se aktakuza është vlerësuar më 3 tetor 2025, ndërsa sipas ligjit paraburgimi mund të zgjasë më së shumti një vit nga vlerësimi i aktakuzës. Pas skadimit të afatit të paraburgimit, gjykata sipas detyrës zyrtare do të caktojë masa shtesë të kujdesit, me qëllim sigurimin e pranisë së Jovanovit gjatë vazhdimit të procedurës gjyqësore.
Aktualisht në arrest shtëpiak janë të akuzuarit Jane Jançevski dhe Ivica Grozdanovski. Për Jançevskin është pranuar kërkesa për heqjen e arrestit shtëpiak me garanci prej mbi 33 mijë eurosh në pasuri të paluajtshme.
Pasi të përfundojë regjistrimi i pronës nën hipotekë, ai do të lirohet nga arresti shtëpiak, por ndaj tij do të zbatohen masa shtesë të kujdesit. Arresti shtëpiak më herët është zëvendësuar me masa kujdesi edhe për Mitko Stojanov, Martin Gjorgjiev dhe Stojanço Dimitriev.
Për Todor Jovanov dhe Bekim Haxhiu, arresti shtëpiak është hequr me caktimin e garancive në pasuri të paluajtshme. Nga Gjykata Themelore Penale Shkup thonë se të akuzuarit të cilëve u është hequr arresti shtëpiak i respektojnë masat e caktuara dhe paraqiten rregullisht në seancat e planifikuara gjyqësore.
Ndërkohë, prindërit e fëmijëve që humbën jetën shprehin shqetësimin se zvarritja e procesit gjyqësor mund të krijojë mundësi që të akuzuarit të bëhen të paarritshëm për organet e ndjekjes.
