Maqedoni
Debat për amendamentet e Ligjit për kontrollin e investimeve të huaja direkte
11.09.2026 11:05
Në Komisionin parlamentar për Politikë të Jashtme dhe Tregti të Jashtme sot po zhvillohet debat për amendamentet e Propozim-ligjit...

Në Komisionin parlamentar për Politikë të Jashtme dhe Tregti të Jashtme sot po zhvillohet debat për amendamentet e Propozim-ligjit për paraqitjen dhe kontrollin e investimeve të huaja direkte.
Për ligjin janë dorëzuar 15 amendamente, një pjesë e të cilave nga deputetët Dimitar Kovaçevski, Sonja Mirakovska dhe Monika Zajkova nga grupi parlamentar i udhëhequr nga LSDM-ja, si dhe nga Sali Murati nga Koalicioni “Fronti Evropian”.
Kuvendi e miratoi propozimin në seancën e 121-të, me mbështetjen e të gjithë deputetëve. Ligji parashikon krijimin e një mekanizmi kombëtar për kontrollin e investimeve të huaja direkte në sektorët kritikë dhe të ndjeshëm, nëse ekzistojnë indikacione se investimi mund të ndikojë negativisht në sigurinë kombëtare, rendin publik ose interesat strategjike.
Sipas zgjidhjes së propozuar, një investim do të mund të realizohet pas një vendimi paraprak pozitiv ose pozitiv me kushte nga Qeveria, kur investitori fiton të paktën 10 për qind të kapitalit bazë dhe/ose të drejtës së votës, ndërsa vlera e investimit është të paktën 50 mijë euro, në subjektet dhe sektorët e përcaktuar me ligj.
Me ligjin krijohet bazë juridike që Qeveria, me propozim të Ministrisë së Mbrojtjes, të përcaktojë sektorët dhe llojet e infrastrukturës kritike të nevojshme për zbatimin e tij.
Si organ kompetent për paraqitjen dhe kontrollin propozohet Ministria e Punëve të Jashtme dhe Tregtisë së Jashtme, e cila, pas konsultimeve me institucionet kompetente, do t’i propozojë Qeverisë nëse investimi duhet të lejohet, të lejohet me kushte apo të refuzohet.
Kundër vendimit të Qeverisë, investitori do të ketë të drejtë të ngrejë kontest administrativ.
Propozim-ligji është gjithashtu në rendin e ditës të Komisionit Ligjvënës-Juridik.
