25 vite nga 11 Shtatori, ShBA-ja përkujton sot viktimat
11.09.2026 11:31
Një sërë ceremonish dhe aktivitetesh përkujtimore për 25-vjetorin e sulmeve terroriste të 11 Shtatorit 2001...

Shtetet e Bashkuara do të zhvillojnë këtë të premte një sërë ceremonish dhe aktivitetesh përkujtimore për 25-vjetorin e sulmeve terroriste të 11 Shtatorit 2001, një prej ngjarjeve më të rënda në historinë moderne të vendit.
Më 11 shtator 2001, 19 rrëmbyes morën nën kontroll katër avionë pasagjerësh dhe i përdorën për të goditur objektiva në Nju Jork dhe pranë Uashingtonit. Sulmet shkaktuan 2.977 viktima, pa përfshirë 19 rrëmbyesit, ndërsa mijëra të tjerë u plagosën ose u përballën më vonë me probleme të rënda shëndetësore të lidhura me pasojat e sulmeve. Më 11 shtator 2001, dy prej avionëve u përplasën me Kullat Binjake të Qendrës Botërore të Tregtisë në Nju Jork. Avioni i dytë goditi kullën jugore vetëm 17 minuta pas goditjes së parë. Zjarret dhe dëmtimet e shkaktuara nga përplasjet çuan në shembjen e të dyja kullave brenda më pak se dy orësh, duke mbuluar pjesë të Manhatanit me tym dhe re të dendura pluhuri.
Një avion i tretë u përplas me Pentagonin, selinë e Departamentit të Mbrojtjes së ShBA-së, pranë Uashingtonit. Avioni i katërt, United Airlines Flight 93, u rrëzua në një fushë në Pensilvani, pasi pasagjerët dhe ekuipazhi u përpoqën të rimerrnin kontrollin e avionit. Autoritetet besojnë se objektivi i rrëmbyesve ishte një ndërtesë qeveritare në Uashington.
