Botë

Jemeni në prag të përshkallëzimit, Huthit marrin arterien e Detit të Kuq

11.09.2026 13:31

Përshkallëzim i rrezikshëm në Jemen! Huthit proiranianë kanë marrë kontrollin e portit strategjik të Mokhës....

Përshkallëzim i rrezikshëm në Jemen! Huthit proiranianë kanë marrë kontrollin e portit strategjik të Mokhës dhe janë afruar deri te ishulli Perim, në zemër të ngushticës Bab el-Mandeb – një nga arteriet më të rëndësishme të tregtisë dhe energjisë në botë. Përparimi i tyre ka sjellë menjëherë kundërgoditjen saudite me sulme ajrore, ndërsa rritet frika se Huthit mund të fitojnë ndikim vendimtar mbi këtë korridor jetik detar. OKB-ja paralajmëron për rrezikun e përfshirjes së Jemenit në një konflikt më të gjerë rajonal.
 
“Jemi përballë një lufte të re që duhet të na shqetësojë të gjithëve. Ajo shënon fundin e paqes relative në të cilën Jemeni jetoi për më shumë se katër vjet. Jo vetëm që rrezikon ta zhysë Jemenin në një luftë të zgjatur dhe më të gjerë, por rrezikon gjithashtu ta përfshijë sërish vendin në konfliktin më të gjerë rajonal, me pasoja globale.”, - deklaroi i dërguari special i OKB-së për Jemenin, Hans Grundberg.
 
Luftimet në Jemen u përshkallëzuan pasi Huthit tentuan të hapnin një linjë ajrore Teheran–Sana, duke shkaktuar sulme të koalicionit ndaj aeroportit të Sanas. Më pas pati sulme ndaj Arabisë Saudite dhe kundërpërgjigje nga Riadi. Sipas “Axios”, Arabia Saudite i kërkoi ShBA-së të sulmonte Huthit, por Trump-i e refuzoi, ndërsa Shtëpia e Bardhë nuk planifikon ndërhyrje të drejtpërdrejtë ushtarake. Izraeli akuzon Iranin se po përpiqet sërish të zhvillojë armë bërthamore dhe është zotuar ta pengojë.
 
“Presidenti Trump deklaroi se Irani po përpiqet sërish të armatoset me armë bërthamore – dhe kjo është e vërtetë. Pasi shkatërruam kapacitetet e tyre të menjëhershme për prodhimin e armëve bërthamore gjatë operacioneve ushtarake, ata po përpiqen përsëri. Ju premtoj se, për sa kohë të jem kryeministër, Irani nuk do të ketë armë bërthamore.”, - theksoi kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanyahu.
 
Agjencia Ndërkombëtare për Energjinë Atomike e ka referuar Iranin në Këshillin e Sigurimit të OKB-së për shkak të bashkëpunimit të pamjaftueshëm në hetimin e programit të tij bërthamor.
 
“Nëse miratohet, ajo do të jetë pjesë e rrethanave në të cilat do të punojmë dhe do të duhet të vazhdojmë më tej. Në çdo rast, puna ime me Iranin vazhdon pavarësisht rezolutës. Kam një mision atje dhe duhet të vazhdoj punën time.”, - u shpreh drejtori i ANEA-s, Rafael Grossi.
 
Netanyahu njoftoi se Izraeli është i gatshëm të shkatërrojë infrastrukturën e Hezbollahut, pasi ushtria izraelite njoftoi se tashmë kishte shkatërruar një sistem të madh tunelesh të grupit nën kreshtën malore.
 
BELINDA KOKA ADEMI