Maqedoni

Zjarret nën kontroll, katër vatra ende aktive, QMK: Dy zjarre janë shuar, shtatë mbeten nën kontroll

11.09.2026 13:55

Ekipet e shpëtimit në Maqedoninë e Veriut vazhdojnë luftën me zjarret në hapësira të hapura....

Ekipet e shpëtimit në Maqedoninë e Veriut vazhdojnë luftën me zjarret në hapësira të hapura. Sipas të dhënave të fundit nga Qendra për Menaxhim me Kriza (QMK), janë regjistruar gjithsej 13 zjarre, prej të cilave 4 janë ende aktive, 7 janë nën kontroll, ndërsa 2 janë shuar. Katër zjarret aktive janë regjistruar në Makedonski Brod, Çuçer Sandevë, Negotinë dhe Novac. Në Makedonski Brod, zjarri ka përfshirë zonën e fshatit Belicë, në lokalitetin Kajorec, dhe është zgjeruar drejt lokalitetit Dabova Dupka – Jasen, ku po digjet pyll i ulët dhe i përzier.
 
Një tjetër vatër aktive është në Çuçer Sandevë, në fshatin Brezë, në lokalitetin Ramno, ku zjarri ka përfshirë pyll të përzier.
 
Në Negotinë, zjarri është regjistruar në fshatin Dubrovë, në drejtim të fshatit Vojshancë, ku po digjet vegjetacion i ulët, ndërsa në Novac, në fshatin Baç, zjarri ka përfshirë vegjetacion të ulët dhe hamullore.
 
Ndërkohë, shtatë zjarre janë vënë nën kontroll. Ato janë regjistruar në Makedonski Brod, Kërçovë, Dellçevë, Saraj, Ohër, Strugë dhe Novo Sellë.
 
Në disa prej këtyre zonave zjarri ka përfshirë pyje dhe vegjetacion të ulët. Në Dellçevë është raportuar zjarr në deponinë e qytetit, ndërsa në Ohër zjarri ka përfshirë mbeturina. Në Strugë, zjarri është raportuar në aksin Burinec – Lokov – Selcë – Elevc, ku është përfshirë pyll i lartë. Dy zjarre të tjera, në Staro Nagoriçan dhe Prilep, janë shuar plotësisht.
 
Sipas QMK-së, ekipet kompetente vazhdojnë të jenë në terren dhe monitorojnë situatën në zonat e prekura. Autoritetet u bëjnë thirrje qytetarëve për kujdes të shtuar dhe shmangie të çdo veprimi që mund të shkaktojë ose përhapë zjarr.
 
FARIJE DAUTI BAKIU