Rajon

Tiranë, iku Lamallari, erdhi Demo

11.09.2026 14:09

Pas shkarkimit të ministres së Shëndetësisë, Evis Sala, dhe emërimit në vend të saj, të Klodiana Spahiut, kryeministri Edi Rama vijoi sot me ndryshimet në Qeveri...

Pas shkarkimit të ministres së Shëndetësisë, Evis Sala, dhe emërimit në vend të saj, të Klodiana Spahiut, kryeministri Edi Rama vijoi sot me ndryshimet në Qeveri. Ai shkarkoi Ministrin e Brendshëm Besfort Lamallari dhe në vend të tij emëroi Ervin Demon.
 
“Besforti nga drejtimi i Ministrisë së Brendshme do të kalojë në stolin tim bashkë me mua dhe ekipin këtu në kryeministri. Ervini, ministri i deritanishëm i pushtetit vendor do të mbulojë Ministrinë e Brendshme, ku do të integrojmë edhe çështjet vendore, diçka që nuk është e re për historikun e ministrinë.”, - deklaroi kryeministri, Edi Rama.
 
Besfort Lamallari mbante detyrën e ministrit të Brendshëm prej marsit të vitit 2026, aty ku kishte shërbyer për një kohë të gjatë si zëvendësministër.
 
“Shumë faleminderit për gjithë besimin e dhënë në këto 10 vjet. Jam munduar në maksimumin tim mos t’ju zhgënjej asnjëherë. Është kënaqësi dhe nder të vazhdoj rrugëtimin në krahun tuaj.”, - theksoi Besfort Lamallari.
 
“Jo vetëm s’më ke zhgënjyer, por e ke bërë punën me integritet.”, - u shpreh kryeministri, Edi Rama.
 
Ndryshimeve të reja në Qeveri i parapriu betimi në Presidencë, i ministres së re të Shëndetësisë, Klodiana Spahiu.


LULJETA NDOKA